Kriza e fasonëve, Prençe: Deri në korrik numri do jetë përgjysmuar, dhe shumë do mbyllen. Qeveria të ndërhyjë sa s’është vonë
Bizneset fason prej kohësh janë përfshirë në një krizë të thellë dhe për të kuptuar më shumë mbi situatën, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” ishte Edvin Prençe, Kryetari i Shoqatës “ProEksport”.
Prençe theksoi se nëse vijon kjo situatë pa ndërhyrë qeveria, atëherë deri në muajt qershor – korrik numri i punonjësve do jetë i përgjysmuar, dhe shumë biznese të tjera me më pak punonjës do të mbyllen.
Por si mund të zgjidhet kriza nga qeveria?
“Dy janë ndërhyrjet që duhen bërë, e para është ajo që siç e thashë më lart, është paketa e manifakturës, e famshmja paketë që ne kemi tashmë 3 vite që e kemi kërkuar. Është pikërisht orientimi i këtyre bizneseve dhe të bëhet vetë-orientimi dhe vetë-prodhimi drejt një linje të re. Ne eksportojmë produkte “Made in Albania”, por aktualisht ne eksportojmë mallra të klientëve tanë dhe e kemi të pamundur të dalim me brendet tona dhe të shpërndajmë në botë produkte realisht “Made in Albania””, theksoi Prençe.
Pse po ikin këto biznese nga Shqipëria?
"Absolutisht që këto kanë efekt boomerang, pasi një biznes i është afruar Shqipërisë vite më parë, por duke parë këtë ikje në masë të bizneseve, absolutisht që kjo do të ndikojë edhe tek të tjerët të largohet. Ajo çfarë ofrojnë shtetet e tjera, është një paketë shumë kompetitive se e jona, si Seria apo Maqedonia, të cilat kanë politika të dedikuara dhe kanë strategji zhvillimi dhe të favorshme të atij vendi dhe të bizneseve të huaja, gjë që kjo nuk ka ndodhur tek ne, dhe fatkeqësisht nuk po ndodh akoma”, theksoi ndër të tjera, Edvin Prençe, Kryetari i Shoqatës “ProEksport”.