Kosi “Pascual” tregtohet në kundërshtim me ligjin. AKU mbyll sytë para shkeljeve, “Roal Food” hesht

Çdo produkt ushqimor duhet të ketë etiketën në gjuhën shqipe, në të kundërt nuk mund të tregtohet. Ligji është i qartë, por realiteti është krejt e kundërta.

Në redaksinë e televizionit “Ora News” kanë mbërritur denoncime nga qytetarë, të cilët shprehen se kosi i pijshëm me shije bananeje dhe luleshtrydheje “PASCUAL”, shitet pa etiketë në gjuhen shqipe duke i lënë konsumatorët në terr informativ.

Këtë produkt e importon në Shqipëri subjekti “Roal Food”, me administrator Aleks Gjonin dhe Jona Gjonin.

Pa etiketën në gjuhen shqipe ky produkt nuk duhet të ishte në asnjë supermarket dhe dyqan, sepse përben shkelje ligjore.

Në lidhje me këtë rast “Ora News” ka vënë në dijeni AKU-n duke i referuar shqetësimin e qytetarëve, njëkohësisht duke i dërguar foto të produkteve që tregtohen pa etiketimin në shqip.

Në kthimin e përgjigjes, AKU na bën me dije se ka kryer inspektim në magazinat e subjektit “Roal Food”, ku u konstatua se produktet përmbajnë kundër-etiketë në gjuhën shqipe, sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorët e AKU-t “mbyllin sytë “për problematikat që konstatojnë qytetarët. Këto janë pamjet ku produkti në supermarkete shitet pa kundër – etiketë në gjuhën shqipe, por inspektorët e AKU-t kanë vendosur të mos i shohin.

Nuk mund të themi me siguri se çfarë kanë konstatuar inspektorët në magazinën e subjektit, por ajo që mund të themi me bindje është se një ditë pas kthimit të përgjigjes, situata ishte e njëjtë: Në supermarkete ky produkt vijonte të shitej pa etiketë në shqip.

Ligji për ushqimin  nr. 434, datë 22.06.2016 – specifikon se etiketat duhet të përfshijnë të dhëna si: emrin e produktit, përbërjen, afatin e përdorimit, mënyrën e ruajtjes, origjinën  të gjitha në shqip. Ne të kundërt, masat fillojnë nga gjoba deri te sekuestrimi i mallit.

Televizioni “Ora News” ka kërkuar informacion edhe nga subjekti “Roal Food”. Administratori i kësaj kompanie ka vendosur të heshtë duke mos i kthyer përgjigje kërkesës për informacion, ndërkohë që vijon i pa shqetësuar të tregtojë produktin në kundërshtim me ligjin.

EMISIONET