Investime në rritje, mirëqenie në pritje/ Ekspertët: Ekonomia përparon, por qytetarët nuk përfitojnë

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore parashikojnë rritje ekonomike për Shqipërinë në 2025, respektivisht me 3.8% dhe 3.2%, të ndikuar nga turizmi, ndërtimi dhe investimet publike.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave rrezikojnë të frenojnë përfitimet reale për qytetarët.

Shqipëria pritet të shënojë një rritje ekonomike gjatë vitit 2025, me Fondin Monetar Ndërkombëtar që projekton një normë prej 3.8%, ndërsa Banka Botërore pret një zgjerim më të  moderuar prej 3.2%.

Këto pritshmëri lidhen ngushtë me dinamikën pozitive në sektorët e ndërtimit dhe turizmit, si dhe me zgjerimin e investimeve publike, sipas ekspertëve Erjola Hoxha dhe dhe Klodian Muço.

‘’Turizmi ka sjellë të ardhura të konsiderueshme. Një sektor tjetër si­ç është sektori I ndërtimit ka patur një rritje krahisimisht edhe me vitin e mëparshëm.

Është një rritje e ndjeshme e investimeve publike duke hapur një sërë kantierësh në pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Kjo ndoshta është një ndër faktorët kryesorë që mund të stimulojë rritjen ekonomike edhe pse një pjesë po bëhet me borxh’’.

Megjithatë, ekspertët ngrenë shqetësime mbi bazën e qëndrueshmërisë së kësaj rritjeje. Sipas ekonomistit Muço, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po shfaqet si një pengesë reale që mund të frenojë zhvillimin afatgjatë.

‘’Kjo mungesë e theksuar e burimeve njerëzore që rrit në mënyrë fiktive pagat por e mos shoqëruar me rritje të produktivitetit tregon që ekonomia nuk do ketë një performancë shumë të lartë’’.

Në të njëjtën linjë, Hoxha thekson se përmirësimi i mirëqenies qytetare dhe ulja e varfërisë duhet të jenë objektiva konkrete të politikave qeveritare.

‘’Është detyrë dhe tagër kryesore e qeverisë shqiptare që të rrisi të ardhurat ndaj këtyre kategorive’’.

Muço paralajmëron se rritja ekonomike e deritanishme nuk është shoqëruar me një shpërndarje të drejtë të të ardhurave, çka rrezikon të thellojë pabarazitë sociale dhe të kufizojë ndikimin real të zhvillimit në jetën e qytetarëve.

Sipas INSTAT, në vitin 2023, mbi 545 mijë qytetarë ishin në rrezik varfërie me të ardhura nën 750 lekë në ditë, ndërsa të dhënat zyrtarë per vitin 2024 ende nuk janë publikuar.

EMISIONET