BE ndërpret fondet, “Ora News” ka denoncuar më herët “zhdukjen” e 100 milionë lekëve nga Ministria e Bujqësisë
Komisioni Evropian ka vendosur të pezullojë programin më të rëndësishëm të ndihmës për Shqipërinë sa i përket mbështetjes për bujqësinë, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Programi IPARD 3 parashikohej të rritej në 146 milionë euro, por që tashmë duket se ka ngrirë.
Më herët Televizioni “Ora News” ka lëshuar kambanat e alarmit, duke denoncuar faktin e keqmenaxhimit te fondeve nga Ministria e Bujqesisë.
Me konkretisht, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka ofruar subjektit “Le Spot Production” vlerën 10.067.220 lekë për fushatë publicitare, për thirrjen e aplikimeve të IPARD-it.

Televizioni “Ora News” iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë me një shkresë ku iu kërkua informacion se si u shpenzuan këto fonde që u dhanë për publicitet.
Njëkohësisht, kërkoi edhe një kopje e shërbimeve të kryera nga “Le Spot Production”.
Asnjë përgjigje nuk u kthye nga Ministria e Bujqësisë edhe pse kaluan të gjitha afatet ligjore.
Gazetarja e Televizionit “Ora News” kontakton në mënyrë të përsëritur me zyrën e Informacionit, por edhe pas disa muajsh shkresa vijon të jetë pa përgjigjie.
KOMUNIKIMI ME ZYRËN E INFORMACIONIT NË MINISTRINË E BUJQËSISË
Gazetarja: Kam qenë te ju edhe përpara një jave për këtë shkresë, e cila nuk ka marrë ende përgjigje nga Ministria.
Informacioni i Ministrisë: E ke dhe numrin e protokollit?
Gazetarja: E kam dërguar me postë, ka mbërritur. Ndoshta me ju kam folur herën e fundit.
Informacioni i Ministrisë: Një sekondë! Atëherë më jep numrin e protokollit! E ke marrë numrin?
Gazetarja: E kam dorëzuar me postë...
Informacioni i Ministrisë: Besoj se këto ditë duhet të dalë përgjigja, do të vijë me postë!
Gazetarja: Jo, jo! Të dalë personi që është kompetent. Kërkesa është bërë me datë 10.03.2023, kanë kaluar të gjitha afatet ligjore. Pse unë nuk marr përgjigje për kërkesën time? Kështu më keni përcjellë edhe herën e kaluar, ndaj nuk e pranoj më këtë lloj komunikimi.
Informacioni i Ministrisë: Të lutem! Përgjigjen e merr ose me anë të Postës, ose me e-mail.
Gazetarja: Nuk ka llogjikë kjo që po thua! Me e-mail nuk mund të marr diçka që e kam sjellë me Postë, sepse ju nuk e dini adresën time të e-mailit. Në 1 prill duhej të kisha përgjigjen.
Informacioni i Ministrisë: Unë po të them që përgjigja do të dalë nesër, ose sot pasdite, ose nesër. Të paktën këtë përgjigje më kanë kthyer dhe këtë përgjigje po të kthej.
Teksa fermerët janë në kufijtë e mbijetesës për shkak të mungesës së subvencionimit, por edhe sepse në shumë raste prodhimet e tyre përfundojnë në kanal, Ministria e Bujqësisë jep plot 100 milionë lekë të tjera për fushata publicitare.
Për më tepër këto fonde “zhduken” dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Në lidhje me këtë rast Televizioni “Ora News” iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Çuditërisht, drejtuesja Elona Hoxhaj, e cila ka për detyre të nxisë transparencën e institucioneve është bërë palë me to dhe e ka lënë pa pergjigje kërkesen e adresuar nga Televizioni “Ora News”.