HAPEN SOT DYERT E DIJES/ 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Politika uron fëmijët dhe mësuesit!
Këtë të hënë nis viti i ri shkollor. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se ky vit shkollor vjen plot me risi dhe investime të rëndësishme për 350 mijë nxënës, nga të cilët 28 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Mesazhi i plotë i Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu:
Të dashur nxënës, prindër dhe mësues! Sot fillojmë këtë rrugëtim të vitit të ri shkollor së bashku, edhe unë jam po aq e emocionuar sa ju, sepse çdo vit sjell sfida dhe mundësi të reja për të gjithë.
350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa rreth 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.
Të dashur nxënës të klasës së parë, shkolla është vendi ku ju do të mësoni, do të zbuloni botën, dhe më e rëndësishmja, të ndërtoni të ardhmen tuaj.
Kemi punuar fort që këtë vit të keni mundësinë të mësoni në shkolla edhe më moderne, që mësuesit të jenë edhe më të motivuar, që shkollat të jenë më të pajisura me materialet didaktike të nevojshme, të cilat do t’ju ndihmojnë të zhvilloni intelektin dhe personalitetin tuaj që nga fillimi i shkollimit dhe gjatë gjithë edukimit tuaj. Mundësuam tekstet shkollore falas për 238 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe për 16 kategori të veçanta të nxënësve në gjimnaze.
Investimet në infrastrukturën shkollore kanë mundësuar që sot të hapin dyert 25 shkolla të rindërtuara, të cilat mirëpresin rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Vetëm përgjatë këtij viti kemi investuar dhe po investojmë në rindërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.
Në një epokë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si mësojmë dhe punojmë, kemi hyrë në një fazë shumë të rëndësishme për të përmirësuar aftësitë digjitale, aftësitë kreative dhe nxitjen e mendimit kritik.
Këtë vit, 200 shkolla 9-vjeçare janë pajisur me 216 laboratorë SMART, duke u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë përmes kurrikulës së re të TIK dhe programit Code Monkey, ku rreth 35 mijë nxënës janë tashmë të përfshirë në këto klasa.
Rrugëtimi juaj drejt dijes nuk është vetëm i juaji, por edhe i prindërve dhe mësuesve tuaj që do të jenë aty për t’ju mbështetur në çdo hap.
Ky vit i ri shkollor i gjen mësuesit me pagat e rritura, duke mundesuar qe mbi 30 mije mesues te sistemit tone arsimor te kene page dinjitoze.
Vlerësimi dhe mbështetja për mësuesit janë thelbësore për një sistem që fokusohet te cilësia, ndaj, veç mbështetjes financiare, do të vijojmë të zhvillojmë programet e trajnimeve falas për të rritur kompetencat profesionale të tyre, me synim që mbi 16 mijë mësues të trajnohen përmes Programit Kombëtar i Zhvillimit Profesional.
Këtë vit do të kemi zhvillime të reja brenda shkollës, përmes roleve të reja të mësuesve:
640 mësues do të angazhohen gjithashtu si koordinatorë të sigurimit të cilësisë për mësimdhënien dhe orientimin e karrierës, bazuar në evidentimin e prirjeve dhe talenteve në çdo shkollë, duke ju ndihmuar ju dhe prindërit në zgjedhjet që do të bëni për të ardhmen tuaj.
Një prioritet i yni është edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë fëmijët.
Këtë vit kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës me 200, duke e çuar në 2100 numrin total të mësuesve ndihmës, të cilët garantojnë mbështetje mësimore për nxënësit me aftësi të veçanta.
Krijimi i mundësive për një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv për nxënësit është po aq i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, në vitin e ri shkollor po investojmë në terrene sportive dhe palestra moderne në shkolla, si pjesë e “Lëvizjes Sportive në shkolla”; programi ynë kombëtar tashmë ka përfshirë mbi 10 mijë nxënës, me synimin për të zgjeruar më tej këtë program duke shtuar disiplina të reja sportive dhe duke e shtrirë në të gjitha ciklet arsimore.
Programet e nisura, si “Art dhe Zeje”, “Shkolla Qendër Komunitare”, Olimpiadat, Konkurset dhe një sërë programesh të reja do të shoqërojnë këtë vit shkollor, duke ju mundësuar një program sa më të pasur shkollor dhe jashtëshkollor.
Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të bukur që sapo ka nisur!
Na qoftë i mbarë!
125 mijë nxënës më pak se një dekadë më parë
Ritmet e rënies së nxënësve në shkolla po përshpejtohen nga viti në vit sipas të dhënave zyrtare. Në vitin shkollor 2024-2025, rreth 238 mijë fëmijë do ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Sipas INSTAT, në këtë nivel arsimi ,në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar. Nisur nga këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë vit të ri shkollor është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak. Ritmet e rënies së nxënësve në arsimin 9-vjeçar janë shumë më të larta se vitin e kaluar, kur tkurrja ishte 3.4%.
Nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak. Në vitet në vijim, tkurrja e nxënësve do të jetë më e lartë si rrjedhojë e rënies së fortë të lindjeve dhe normave ende të larta të emigracionit në moshat e reja.
Sipas të dhënave nga cens 2023, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin.
Si rrjedhojë e rënies së nxënësve, një numër i madh shkollash po mbyllen vit pas viti. Nga viti shkollor 2012-2013, në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.
Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e numrit të nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm.
Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.
Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.
Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grup moshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.
SIGURIA NË SHKOLLA
Nga sot, Policia e shtetit do të vërë në zbatim planin e masave për sigurinë në shkolla.
Në nisjen e vitit arsimor, bëhet e ditur se në çdo qark është bërë vlerësim i situatës, ndërsa janë ngritur struktura për të raportuar dhe analizuar në kohë reale situate të mundshme
Të angazhuar do të jenë Ndihmës Specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forca e Posaçme "Shqiponja", Policia Rrugore dhe ajo Kriminale.
Ndër detyrat kryesore mbetet mbledhja dhe trajtimi i informacioneve në kohë reale. Por po ashtu edhe siguria ushqimore do të jetë në qendër të vëmendjes
Forca të shtuara do të jenë dhe në akset rrugore ku ndodhen shkollat.
Për këtë do të synohet eliminimi sa më shumë të jetë i mundur i trafikut, por edhe ndalimi i shpejtësisë për të shmangur aksidentet e mundshme
“Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve”, thuhet në deklaratën për mediet
PRESIDENTI URON FËMIJËT
Mesazhi i urimit këtë të hënë për fëmijët shqiptarë vjen nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor!
Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes.
Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shprehet Presidenti Begaj.
KRYETARJA E KUVENDIT
Edhe Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali përcolli dje një mesazh urimi për nisjen e vitit të ri shkollor këtë 9 shtator.
Në mesazh ajo thotë se është detyrë edhe e Kuvendit dhe ligjvënësve të Shqipërisë garantimi i një arsimi cilësor.
“350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në Shqipëri do të fillojnë nesër vitin e ri shkollor. Ky është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për të gjithë ne. Një urim dhe përqafim të ngrohtë për të gjithë vogëlushët që do të nisin për herë të parë rrugëtimin e dijes, e po ashtu edhe për çdo nxënës e gjimnazist”, thuhet në mesazhin e Spiropalit.
Kryeparlamentarja përcolli urime edhe për mësuesit.
“Urime të përzemërta e mirënjohje për të gjithë mësuesit tanë, punonjësit e tjerë arsimorë, si dhe për çdo prind që ka sot një fëmijë në shkollë. Ata që sot janë nxënës, janë edhe premtim për t’u shndërruar në qytetarët e së nesërmes, të cilët me dritën dhe diturinë që do të fitojnë në shkollë, do ta përparojnë e lartësojnë Shqipërinë tonë të çmuar”, uroi ajo.
Detyra jonë në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi kryeparlamentarja, është të bëjmë ligje dhe formësojmë politika që të kontribuojnë në një arsimim cilësor dhe bashkëkohor për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë.
“Shqipëria është rritur e po modernizohet, standardet tona po përmirësohen me ritëm të panjohur më parë, andaj duhet të sigurohemi që çdo nxënës, çdo fëmijë i Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore a fetare, prejardhjes krahinore a statusit social e ekonomik, të mirëpritet në shkolla të ngrohta, të mirë-pajisura e moderne; të trajtohet me profesionalizëm dhe dashuri nga mësues të aftë, të mirë-shpërblyer e të motivuar; të ketë të garantuar – ashtu siç po bëjmë – librat falas, por edhe një vakt të shëndetshëm, për të mundësuar që asnjë fëmijë, të mos ulet në bankat e shkollës i keq-ushqyer”, deklaroi Spiropali.
Ajo shprehu besimin se ky vizion ndahet sot nga të gjithë politik-bërësit shqiptarë, pa dallim, dhe ne do ta arrijmë me çdo kusht këtë standard.
“Ju uroj një vit të ri shkollor plot suksese, arritje dhe progres, drejt dijes dhe së ardhmes!”, citohet mesazhi.
URIMI I KRYEMINISTRIT
Edhe kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë nxënësit shqiptarë, veçanërisht ata të klasave të para.
"MIRËMËNGJES dhe me urimin për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata të klasave të para që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit dhe prindërit, për një vit të mbarë shkollor, ju uroj një javë të bukur", shprehet kryeministri Rama.
MESAZHI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
Një mesazh për ditën e parë të vitit të ri shkollor ka ardhur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Sot nis viti i ri shkollor. Së pari urimin më të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit në këtë ditë të veçantë për ata dhe mbarë kombin. Veças një urim nga zemra vogëlusheve dhe vogëlushëve që ulen sot për herë të parë ne bankat e shkollës. Një vit plot shëndet dhe të suksesshëm për të gjithë.
Por të dashur miq, viti i ri shkollor 2024- 2025 e gjen Shqipërinë të zbrazur si asnjëherë më parë.
Numri i nxënësve këtë vit që ulet në bankat e shkollës nga 610 mijë që ishte 11 vite më parë është 350 mijë. Zvogëlimi dramatik i numrit të nxënësve bëhet çdo vit e më i madh. Këtë vit në Qarkun e Korçës nga 1698 nxënës të regjistruar një vit më parë, këtë vit do të ulen në bankat e shkollës për klasën e parë 1302 nxënës. Pra, 396 nxënës më pak, ndërsa në klasën e dhjetë nga 1779 vitin e kaluar, këtë vit u regjistruan 1277, pra 502 nxënës më pak.
Ky vit nis pasi mbi 730 shkolla të të gjitha niveleve janë mbyllur në të gjithë vendin gjatë viteve të rilindjes dhe 90% e shkollave të vendit janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm ndërkohë që fondet vidhen dhe ndërtohen shkolla me 5-7 milionë euro dmth 7-8 herë më të larta se në Europë. Viti shkollor nis në kushte ku mbi 120 mijë nxënës do të mësojnë me turne, dhe mbi 50 000 nxënës që do të mësojnë në klasa kolektive.
Ky vit nis pas rënies në pikiatë prej 62 pikësh, më të madhe në botë në testin e PISA-s të cilësisë së arsimit vlersuar 9 vitet e qeverisjes së Edi Ramës.
Ky vit nis në kohë kur mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit dhe më të keqtrajtuarit e rajonit.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe gjendjen e rëndë në të cilën fillon punën këtë vit sistemi arsimor në Shqipëri, Partia Demokratike fton nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit të ngrihem në protesta të fuqishme kundër regjimit që po shkatërron sistemin arsimor dhe po zbraz me shpejtësi Shqipërinë”, shprehet ish-kryeministri Berisha.
PRESIDENTI I PARTISË SË LIRISË
Urime për këtë vit të ri shkollor përcolli përmes rrjeteve sociale edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese të gjithë nxënësve dhe mësuesve për fillimin e vitit të ri shkollor, veçanërisht vogëlushëve që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës!
Uroj edhe prindërit për një vit sa më të suksesshëm për fëmijët e tyre dhe u garantoj se sakrificat për t'u mundësuar arsim cilësor do t'u shpërblehen një ditë!
Ky vit e gjen arsimin edhe më të rrënuar, më të politizuar dhe më të braktisur se kurrë.
Sot në shkolla ka më shumë patronazhistë se mësues dhe më shumë banka bosh sesa nxënës për shkak të agjendës antikombëtare të shpopullimit.
Ka mijëra fëmijë që për shkak të varfërisë e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë, ndërkohë që miliona euro vidhen për godina që ndërtohen më shtrenjtë se në BE, por që nuk kanë mjete mësimore bashkëkohore, laboratorë dhe palestra.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar. Ne besojmë se investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë është pikërisht investimi në arsim, si zgjidhja më e mirë për të ndalur shpopullimin.
Do të dyfishojmë pagat e mësuesve, do të reformojmë sistemin arsimor dhe niveli i buxhetimit në arsim do të jetë 5% i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke ringritur arsimin do të ringremë Shqipërinë!”, shprehet Meta.
MINISTRJA E SHËNDETËSISË ALBANA KOÇIU
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka uruar të gjithë nxënësit për ditën e parë të shkollës. Koçiu thotë se uron një vit sa më të mbarë, plot suksese dhe arritje të pahaarrueshme për të gjithë fëmijët.
DEPUTETI SOCIALIST
Deputeti socialist Eduart Shalsi ka dërguar sot djalin e tij në ditën e parë të shkollës.
Shalsi tha në një intervistë për News 24 se sot është një ditë e gëzuar për mësuesit dhe nxënësit. Ai tha se si mësuesit edhe nxënësit do të kenë kushte më të mira dhe se shumë shkolla janë rikonstruktuar.
“Është një ditë e gëzuar, që mësuesit dhe nxënësit i gjen me kushte më të mira. Këtë vit, kurrikulat janë përmirësuar, ka palestra.
Unë djalin e kam në një shkollë publike. Jam i gëzuar që po e sjell në një shkollë, që tashmë është rikonstruktuar”, u shpreh Shalsi.
DEPUTETJA INA ZHUPA
Deputetja Ina Zhupa, si kryetare e komisionit të Edukimit uron nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor dhe rendit një sërë problematikash që ka sistemi parashkollor në 2024.
Ajo kujton rezultatet e testit Pisa ku ishin më poshtë edhe se Palestina në luftë. Sjell në vëmendje që 47% e fëmijëve do shkojnë në shkollë të kequshqyer dhe qeveria ju ka dhënë libra të përdorur që dija të jetë e pamundur.
Zhupa e cilëson ministren Manastirliun si Zonja Abuzimi dhe udhëzimet e saj dhe “reforma” është vëtëm për të vënë më shumë administratë që merren me detyrat politike të ministres.