Gjokutaj: Kjo amnisti ka qëllim pastrimin e parave, legalizimi i tyre do të hyjë pa konkurrencë në ekonomi

Paralajmërimet e ndërkombëtarëve dhe skepticizmi i tyre për realizimin e amnistisë fiskale në Shqipëri nuk kanë ndikuar në qeverinë e drejtuar prej Edi Ramës.

Tashmë projektligji është paraqitur për konsultim publik e më tej do të vijohet me votimin në qeveri e parlament.

Sipas draftit me 25 nene të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

Në lidhje me këtë eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Evrest Dedaj, u shpreh se nuk kemi të dhëna nga qeveria se kush janë këto grupe emigrantësh që zotërojnë 2 milionë euro.

Gjokutaj këtë projektligj e ka konsideruar si amnisti pastrimi parash.

Eduart Gjokutaj: Ne nuk kemi asnjë të dhënë nga qeveria për të na thënë se kush janë këto grupe emigrantësh ose këta emigrantë që zotërojnë 2 mln euro. Të gjitha këto, nisur dhe nga fakti që ne kemi një ligj funksional tashmë të kriptomonedhave, kemi një ambient evazioni, i cili dukshëm nga rritja e ndërtimeve është tregues i pastrimit të parave dhe nga ana tjetër kemi dhe ato biznese, të cilat nuk janë shprehur për amnisti. Ne nuk kemi në dijeninë tonë një kërkesë që ka grupe të caktuara për të bërë këtë pastrim parash. Kjo amnisti në gjykimin të parë është amnisti e pastrimit të parasë.

Ai tha se tashmë pastrimi i parave po bëhet me ligj, ndërsa shtoi legalizimi i këtyre parave do të hyjë pa konkurrencë në ekonomi.

Eduart Gjokutaj: Skema se si kërkohet të amnistohet paratë në fakt është skemë e pastrimit të parave. E njëjta gjë ndodh me ata që duan të pastrojnë para, qofshin grupe kriminale, qofshin grupe të korruptuarish. Pra zgjedhin individë që janë të painkriminuar, i përdorin si mburojë për të pastruar para dhe asnjëherë nuk ndodh që ata të kenë pasuri në zotërim të tyre, ndërkohë që bizneset vazhdojnë punën që në pamje të parë duket legale. Pra e gjitha kjo nuk ka ndonjë dallim nga një skemë e pastrimit të parave që ndodhë rëndomtë, po tashmë kemi instrumentin e ligjit që mundëson që këto pastrime parash të bëhen në këtë formë që është përshkruar me ligj.

Do kemi një legalizim të parasë që do të hyjë pa konkurrencë në ekonomi. Unë nuk besoj që ka emigrantë që ka mbajtur 2 mln euro në të gjithë këto vite pa investuar diku.  

EMISIONET