Gjipali: Raporti i KE, pozitiv! Viti i ardhshëm vendimtar për ritmin e reformave drejt 2027-s
Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, ku u diskutua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vlerësoi se raporti i Komisionit Europian për këtë vit është pozitiv për Shqipërinë, në një periudhë kur vendi ka hapur negociatat përgjatë klasterave, përfshirë edhe atë të bujqësisë.
Gjipali theksoi se, pavarësisht vlerësimeve pozitive, pjesa e çështjeve që duhet adresuar mbetet shumë e rëndësishme, pasi raporti është i detajuar dhe vendos një barrë të madhe mbi institucionet shqiptare për 12 muajt e ardhshëm.
Ai u shpreh se ritmi i reformave do të jetë vendimtar për arritjen e objektivit të shpallur nga institucionet shqiptare: mbylljen e procesit të negociatave deri në fund të vitit 2027.
Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë vendimtar, pasi Shqipëria duhet të tregojë të njëjtin ritëm dhe cilësi reformash për të mbyllur negociatat brenda afatit të synuar. Raporti i KE-së, nënvizoi Gjipali, e bën të qartë se cilat janë pikat dhe çështjet që duhen përmbushur, sidomos në fushat ku progresi ka qenë i kufizuar ose ku këtë vit nuk është shënuar progres.
NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”:

