Fatura e dëmshpërblimit për vendimet e Arbitrazheve dhe Strasburgut arrin në 195 mln euro, kryeson “Becchetti”
Deri në muajin shtator 2023, rreth 195 milionë euro (194,915,845 euro) llogaritet fatura e shtetit shqiptar për dëmshpërblimet ndaj vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) dhe Gjykatës së Arbitrazhit.
Në projektbuxhetin e vitit 2024 jepen të dhënat për detyrimet faktike dhe kontingjente nga vendimet e dy gjykatave ndërkombëtare, ku detyrimi më i lartë financiar është për çështjet e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Totali i detyrimit faktik dhe kontingjent deri në muajin Shtator të 2023 arrin vlerën e rreth 173,1 milionë eurove.
Detyrim Faktik që është e detyrimi i cituar në një vendim përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit, i formës së prerë, për të cilin nuk janë finalizuar procedurat juridike brenda shtetit shqiptar është rreth 61 milionë euro.
Detyrim Kontingjent që është detyrimi i cituar në një vendim të Gjykatës së Arbitrazhit/, dhe/ose kontrata eventuale të studiove ligjore, për të cilin nuk kanë përfunduar procedurat ligjore llogaritet 112 milionë euro.
Nga tabela e të dhënave për faturën financiare me vlerë më të lartë të detyrimit kryeson çështja “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” të sipërmarrësit italian Francesco Becchetti. Detyrimi financiar ndaj këtij vendimi është 108 milionë euro. Çështja u depozitua në Gjykatën e Arbitrazhit në 29 Qershor 2015. Vendimi përfundimtar u mor më 29 Mars 2023.
Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshjet dy ose shumëpalëshe, në ngarkim të shtetit shqiptar. Për këtë arsye Ministria e Financave dhe Ekonomisë i vlerëson efektet financiare që shoqërojnë këto vendime, me risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
“Në pjesën më të madhe, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballuar nga buxheti i vetë institucioneve buxhetore (kryesisht ministri linje), të cilat kanë qenë edhe palë e paditur në gjykimet perkatëse.
Ndërkohë që, në rastet kur palë e paditur cilësohet “shteti shqiptar” apo “qeveria shqiptare” vendime likuidohen përmes buxhetit të MFE dhe/ose Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, nëse lind nevoja.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në vazhdimësi, ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre, si edhe disiplinimin e procesit të shlyerjes financiare të përfituesve.
Kjo, me qëllimin final të lehtësimit, reduktimit dhe/ose shmangies së barrës financiare mbi buxhetin e shtetit”, citohet në relacionin e draftit.
Ndërsa totali i detyrimeve nga vendimet e GJEDNJ-së deri në shtator 2023 arrin rreth 21,7 mln euro (nga ku detyrimi faktik vlerësohet 17,9 milionë euro dhe detyrimi kontingjent 3,8 milionë euro).
Vendimet e GJEDNJ-së janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët.
Lista e çështjeve për dëmshpërblim kryesohet nga çështja “Sharxhi kundër Shqipërisë” me detyrim financiar prej 13,3 milionë euro, e ndjekur nga çështja “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” me detyrim 4,4 milionë euro.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënvizon në relacionin e projektbuxhetit se ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ-së, kjo duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tre mujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatë-vonese për çdo ditë vonesë.
Sidoqoftë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MFE thekson në relacion se ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe procedurale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar sipas mundësive të buxhetit të shtetit skedulimin me këste të detyrimit financiar, në negocim me përfituesit.
Edhe për vitin 2023, likuidimi i detyrimeve të këtij lloji përballohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit. MONITOR