FARAT E SË ARDHMES! Zgjidhje për ndryshimet klimatike, ekspertët: Kombinim mes varieteteve rezistente me ato autoktone
Ndryshimet klimatike po ulin rendimentin e bujqësisë shqiptare, duke nxitur përdorimin e farave më rezistente ndaj thatësirës dhe temperaturave të larta. Ekspertët theksojnë se zgjidhja qëndron te kombinimi i varieteteve të reja me mbrojtjen e farave vendase.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më fort në bujqësinë shqiptare, ku temperaturat e larta, thatësirat e zgjatura dhe reshjet intensive kanë ulur rendimentin e kulturave tradicionale, duke nxitur përdorimin e farave dhe bimëve të reja, më rezistente ndaj stresit klimatik.
Drejtoresha e Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, Vlabona Hobdari, thekson se zgjidhja ndaj ndryshimeve klimatike nuk qëndron vetëm te importi i farave të reja, por edhe te mbrojtja dhe rivlerësimi i varieteteve vendase.
Në shumë zona bujqësore, fermerët kanë nisur të mbjellin varietete të përmirësuara të grurit, misrit dhe perimeve, të cilat kërkojnë më pak ujë dhe i rezistojnë më mirë sëmundjeve.
Sipas Hobdarit, bashkëpunimi mes shkencës dhe fermerëve është thelbësor për të garantuar sigurinë ushqimore sa më cilësore në të ardhmen.
Ndërkohë që klima vazhdon të sfidojë bujqësinë tradicionale, fushat shqiptare po përjetojnë një tranzicion të domosdoshëm: nga njëra anë drejt varieteteve të reja dhe nga ana tjetër drejt mbrojtjes së bimëve autoktone.


