FAO dhe UN Women: Gratë rurale zotërojnë vetëm 11% të tokës bujqësore

FAO dhe UN Women: Gratë rurale zotërojnë vetëm 11% të

Gratë rurale mbeten  forcë thelbësore në sistemet agro-ushqimore në Shqipëri, por pabarazia në pronësinë e tokës mbetet një pengesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre ekonomik.

Sipas një raporti të ri të publikuar nga FAO dhe UN Women, gratë zotërojnë vetëm 11% të sipërfaqes së tokës bujqësore në vend.

Ky raport, i titulluar “Monitorimi dhe raportimi i barazisë gjinore në pronësinë e tokës në Shqipëri”, analizon progresin dhe sfidat në përmbushjen e treguesve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ), të cilët matin aksesin e grave në tokë dhe kuadrin ligjor që garanton barazinë në pronësi.

Në raport thuhet se të dhënat statistikore janë ende të paplota ndërsa censi i fundit bujqësor i vitit 2012 nuk përfshinte të dhëna të ndara sipas gjinisë. Teksa INSTAT-i është angazhuar tashmë për mbledhjen e këtyre të dhënave në anketat e ardhshme, ka ende sfida metodologjike që duhen kapërcyer.

Sa i përket kornizës ligjore, në raport evidentohet se reformat e fundit janë në përputhje me praktikat më të mira, por Korniza ligjore është përmirësuar, por mungon bashkërendimi mes institucioneve si dhe praktikat zakonore dhe normat shoqërore që kufizojnë të drejtat reale të grave mbi tokën.

Raporti nënvizon se, toka nuk është vetëm një aset prodhues jetik për komunitetet rurale, por edhe themeli i fuqizimit ekonomik të grave, qëndrueshmërisë dhe aftësisë së tyre për t’iu përgjigjur krizave. Pa qasje të barabartë në tokë, gratë përballen me pengesa në kredimarrje, inpute bujqësore dhe në vendimmarrje, duke cenuar mjetet e jetesës dhe zhvillimin kombëtar.

Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të qartë për barazinë gjinore, duke përafruar legjislacionin kombëtar me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe duke integruar të drejtat mbi tokën në procesin e anëtarësimit në BE. Megjithatë, mangësitë teknike, sistemet e tejkaluara të të dhënave dhe praktikat diskriminuese të rrënjosura thellë vazhdojnë të pengojnë përparimin në këtë drejtim.

“Kur gratë rurale kanë të drejta të barabarta mbi tokën, familjet dhe komunitetet lulëzojnë, siguria ushqimore përmirësohet dhe ekonomitë rriten. Për Shqipërinë, forcimi i barazisë gjinore në pronësinë e tokës është thelbësor si për anëtarësimin në BE dhe ashtu edhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, tha Raimund Jehle, Përfaqësues i FAO-s në Shqipëri.

“Sigurimi i të drejtave të barabarta për gratë për të zotëruar dhe kontrolluar tokën është thelbësor për përparimin e barazisë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Ky raport ofron një udhërrëfyes për ta bërë këtë realitet”, shprehet Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

Arban Morina, nga Agjencia Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC), deklaroi se “fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është ngushtësisht i lidhur me forcimin e pronësisë së tyre mbi tokën. Ky vlerësim mbështet monitorimin e vazhdueshëm të politikave me ndjeshmëri gjinore që lidhen me tokën bujqësore”

Elona Sevrani, Drejtoreshë e Drejtorisë së Llogarive Kombëtare në INSTAT, theksoi se “të dhënat e besueshme, të përditësuara dhe të ndara sipas gjinisë janë thelbësore për të matur pronësinë dhe për të siguruar të drejtat e grave mbi tokën bujqësore (5.a.1), si dhe për të vlerësuar nëse kuadri ligjor garanton të drejta të barabarta për pronësinë dhe kontrollin e tokës”.

Rekomandimet e raportit përfshijnë: investim në mbledhjen e të dhënave gjinore dhe përmirësim të statistikave zyrtare, rritje të ndërgjegjësimit publik dhe institucional mbi rëndësinë e qasjes së grave në tokë dhe zbatim të qartë të kuadrit ligjor që garanton të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë.

Ky raport u hartua në kuadër të projektit GREAT – Barazia Gjinore, Zhvillimi Rural dhe Turizmi, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe me mbështetjen e Qeverisë Italiane.

Raporti vjen në një moment kritik për Shqipërinë, ndërsa vendi vijon përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Fuqizimi i grave rurale përmes qasjes së barabartë në tokë konsiderohet si kusht thelbësor për një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. 

EMISIONET