Euroizimi i tregut të sigurimeve pësoi rënie në 2024

Euroizimi i tregut të sigurimeve pësoi rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024 pesha e primeve të shkruara bruto në Euro kundrejt totalit zbriti në 29.8%, nga 31.2% që kishte qenë një vit më parë.
Pavarësisht rënies së peshës së primeve në euro, tregu i sigurimeve ka një bazë të përhershme produktesh që ofrohen vetëm në monedhën euro, si sigurimet e detyrueshme motorike Kartoni Jeshil dhe Sigurimi Kufitar, por edhe disa produkte vullnetare, siç është Sigurimi i Kombinuar i Aksidenteve Personale dhe Shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit.
Gjithashtu, produktet që shfaqin një vlerë të primeve të shkruara në përqindje të lartë në Euro janë Sigurimi Kasko, Sigurimi i të Gjitha Risqeve në Ndërtim, Sigurimi i të Gjitha Risqeve në Montim dhe Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit në aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë dhe Sigurimi i Jetës dhe Shëndetit në Udhëtim, Sigurimi i Jetës së Studentit, Sigurimi i Jetës me Kursim, dhe “Flexi Plan” për Sigurimin e Jetës. Ndërkohë, produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet e Pronës gjithashtu paraqesin një nivel të lartë euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata.
Pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit ka pësuar rënie si për aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë, ashtu edhe për atë të sigurimit të jetës. Për aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë, pesha e primeve në euro ka zbritur në 30.1%, nga 31.3% që kishte qenë një vit më parë.
Pesha e primeve të shkruara në Euro ka pësuar rënie vjetore në shumicën e produkteve, si Sigurimet Inxhinierike me rënie të peshës me 12.8% (nga 82.2% në 69.4%), Sigurimet e Aksidenteve e Shëndetit me rënie të peshës me 4.5% (nga 62.7% në 58.2%), Sigurimet e Marinës me rënie të peshës me 3.4% (nga 6% në 2.6%), Sigurimet e Garancisë me rënie të peshës me 2.1% (nga 24.1% në 22%), Sigurimi i Përgjegjësisë Civile me rënie me 1.4% (nga 44.1% në 42.7%), pasuar nga Sigurimet Motorike me rënie të peshës me 0.4% (nga 24.2% në 23.8%) dhe Sigurimet e Mallit në transport me rënie të peshës me 0.4% (nga 62.9% në 62.5%).
Ndërkohë, pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total për aktivitetin e Jetës ka shënuar një rënie me rreth 2.7%, duke zbritur në 26.5%, nga 29.2% që ishte në fund të vitit 2023.
Rënie të peshës të primeve të shkruara në Euro ka shfaqur Sigurimi i Jetës me elementë të ndryshueshëm, me 9.5% (nga 71.7% në 62.2%); Sigurimi i Jetës së Debitorit me rënie të peshës me 3.2% (nga 21.4% në 18.2%), pasuar nga Sigurimi Cash Plan me rënie të peshës me 2.7% (nga 62.2% në 59.5%).
Ndërsa klasat që kanë shfaqur rritjen më të theksuar të primeve të shkruar në Euro në krahasim me një vit më parë janë Sigurimi i kombinuar i Jetës, me rritje të peshës me 23.5% (nga 16.1% në 39.6%), Sigurimi Jeta e studentit me 17.9% (nga 28% në 45.9%), Sigurimi i Jetës në Grup me rritje të peshës me 14.4% (nga 3.5% në 17.9%) pasuar nga Sigurime të tjera me rritje të peshës me 3.5% (nga 96.5% në 100%) dhe Sigurimi i Jetës me elementë kursimi me rritje të peshës me 0.3% (nga 92.9% në 93.2%).
Edhe në analizën e radhës, AMF vlerëson se pesha e vlerës së aseteve që administrohen prej subjekteve të mbikëqyrura nga Autoriteti është relativisht e ulët. Sipas AMF-së, bazuar në të dhënat e mësipërme, niveli aktual i përdorimit të valutës (Euro-s) në tregjet e mbikëqyrura nga AMF është në nivele përgjithësisht të ulta dhe i diktuar nga profili i veprimtarisë së institucioneve të mbikëqyrura./Monitor

