ERE i jep OK qeverisë, në tetor nuk aplikohet fasha mbi 800 kW/h
Bordi i Entit Rregullator Energjitik miratoi shtyrjen e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë duke e lënë atë të pandryshuar përgjatë muajit tetor. Qytetarët do të tarifohen me çmimin 2.6 lekë ndërkohë që në fund të këtij muaji çmimi do të rishikohet për të parë se si do të proedohet në muajt në vijim.
Enti Rregullator Energjitik mblodhi Bordin drejtues ku miratoi urdhërin e qeverisë për shtyrjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Mbledhja vjen pasi vendimit të njoftuar nga kryeministri që përcaktoi se çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë gjatë tetorit, çka do të thotë se qytetarët do të tarifohen me 2.6 lekë për kW/h.
Gjatë mbledhjes kreu i ERE Petrit Ahmeti theksoi se vendimi për ndryshimin e çmimit të energjisë për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat në muaj do të merret në fund të muajit.
Pjesëmarrëse në mbledhje ishte dhe deputetja e opozitës Jordia Tabaku e cila dha argumentet se pse çmimi i energjisë nuk duhet të ndryshojë. Ajo theksoi se ERE është institucion i pavarur dhe nuk duhet të marrë urdhra nga qeveria.
Më 23 shtator ERE miratoi tarifat e reja sipas vendimit të qeverisë për çmimin e rritur për ata që kalojnë fashën e shpenzimit mbi 800 kilovat, por vendimi u anulua nga vetë kryeministri Edi Rama. Ai tha se tërheqja nga rritja e çmimit erdhi si pasojë e përmirësimit të kushteve në Kaskadën e drinit si dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike.
