Ekonomia u rrit me 3,39% në tremujorin e parë 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Ekonomia u rrit me 3,39% në tremujorin e parë 2025, krahasuar me

Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë shenja të qëndrueshme të rimëkëmbjes dhe rritjes.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma reale, u rrit me 3,39% në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave, kontributi më i madh në këtë rritje i përket sektorit të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, i cili shënoi një rritje të ndjeshme prej 18,92%, duke kontribuar me 2,24 pikë përqindje në totalin e PBB-së.

Kjo rritje lidhet ngushtë me rritjen e shpenzimeve publike dhe investimeve në shëndetësi e arsim, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e kërkesës së brendshme dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Po ashtu, sektori i pasurive të paluajtshme vijoi trendin pozitiv, me një rritje prej 8,03% dhe një kontribut prej 0,43 pikë përqindje në PBB.

Edhe grupi i tregtisë, transportit dhe akomodimit shënoi rritje të qëndrueshme prej 2,12%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 1,78% rritje.

Në kahun tjetër, disa sektorë kyç si industria, energjia dhe uji pësuan rënie të ndjeshme me 5,66%, duke kontribuar negativisht me 0,66 pikë përqindje, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 2,76%.

Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2024, PBB e përshtatur sezonalisht shënoi një rritje prej 0,65%. Sërish, rritja më e madhe u regjistrua në administratë publike, arsim dhe shëndetësi me 3,90%, si dhe në ndërtim me 3,69%.

Në të kundërt, sektori i informacionit dhe komunikacionit pësoi rënie me 3,94%, i ndjekur nga financat dhe sigurimet me 1,58%.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se konsumi final i popullatës shënoi një rritje prej 2,47%, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit ndjeshëm me 7,34%.

Investimet po ashtu u rritën me 2,89%, ndërsa eksportet shënuan një rritje të fortë me 9,51%, përballë një rritjeje më të ngadaltë të importeve prej 1,69%.

EMISIONET