“Ekonomia” miraton në parim projektbuxhetin 2025, mbi 8 miliardë euro shpenzime publike

“Ekonomia” miraton në parim projektbuxhetin 2025, mbi 8

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot në parim Projektbuxhetin e vitit 2025, me votat e mazhorancës, ndërsa votuan kundër deputetët e opozitës, Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2025, tha se, “pr/buxheti 2025 synon të mbështesë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal”.

“Ky projektbuxhet ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, duke mundësuar një harmonizim të mirë të saj me politikën monetare dhe stadin e zhvillimit të vendit, krijon hapësira për një nivel relativisht të lartë investimesh publike, në nxitje të zhvillimit afatgjatë të vendit, si dhe ofron një qëndrueshmëri të kuadrit tatimor, duke rritur sigurinë e bizneseve në planet e zhvillimit të tyre”, u shpreh Minxhozi.

“Pr/buxheti 2025 tejkalon shifrën e 8 miliardë eurove shpenzime publike të planifikuara, dhe në të njëjtën kohë projekton një borxh publik me ulje të vijueshme, duke u fokusuar tërësisht në miradministrimin fiskal, pa prezantuar masa të reja fiskale”, tha ajo.

Sipas saj, ekonomia jonë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë një sërë goditjesh dhe vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi, që në 2025 parashikon një rritje ekonomike prej 3.9%.

“Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit”, deklaroi Minxhozi.

Ajo tha se, të ardhurat totale buxhetore për vitin 2025 parashikohen rreth 40.6 miliardë lekë, ose 0.2% e PBB më shumë.

“Banka e Shqipërisë gjykon se perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive, si në afatin e shkurtër, dhe në atë të mesëm e të gjatë. Kjo rritje ekonomike pritet të jetë në linjë me potencialin prodhues të vendit, duke u shoqëruar me një rritje graduale dhe të qëndrueshme të punësimit e të ardhurave”, u shpreh ajo, teksa vuri në dukje se, konsolidimi fiskal, përqasje kjo e cila ka orientuar dhe kushtëzuar projektbuxhetin e vitit 2025, është kahu i duhur i politikës fiskale.

DISKUTIMET E PLOTA NE KOMISION

EMISIONET