Tenderi i dyshimtë, 12 milion lekë për planin e menaxhimit të Parkut të Dajtit

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të shpenzojë 11,680,000 lekë për të hartuar një plan menaxhimi për Parkun e Dajtit.

Në dokumentet zyrtare rezulton se plani do të realizohet  brenda 70 ditëve nga kompania Gjeokonsult, ndërsa nga katër pjesëmarrës janë skualifikuar për shkak të kritereve dy subjekte që kanë kërkuar më pak fond për punimin.

Por çfarë parashikohet të realizohet në këtë dokument?

Sipas materialeve të publikuara në prokurimet publike theksohet se do të përcaktohet mënyra e menaxhimit të parkut për të mundësuar më shumë të ardhura dhe formën e promovimit të vlerave turistike të tij, por dhe të aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen në të.

Po ashtu kompania do të duhet të paraqesë në material zonat e mbrojtura për të mos dëmtuar bimët apo kafshët në rrezik, por dhe sipërfaqet ku nuk lejohet ndërhyrja e njeriut.

Megjithatë në dokumentet e kërkuara subjektet pjesëmarrëse në garë duhet të kishin të punësuar edhe një inxhiner ndërtimi për objektet deri në pesë kate, ndërsa nuk është e qartë nëse në plan do të ketë përcaktime për lejimin e ndërtimeve në sipërfaqe të ndryshme të Parkut të Dajtit, por se projekti do të jetë në varësi të planit vendor.

Së fundi u realizua dhe plani i menaxhimit të Parkut të Butrintit si dhe të zonave arkeologjike të Durrësit, përfshirë dhe Amfiteatrin ku u propozua që aktiviteti të merrej përsipër nga kompani private.

EMISIONET