Edhe bankat në e-Albania, aplikimi pritet të nisë vitin e ardhshëm, diskutimet me AKSHI-n

Veprimet bankare do të mund të kryhen përmes portalit e-Albania. Projekti është ende në fazën e diskutimit me Agjencinë Kombëtare të Informacionit, ndërsa pritet që të aplikohet në fillim të vitit të ardhshëm. Qëllimi mbetet ofrimi i shërbimeve të shpejta online, ndërsa ofrimi i sigurisë së plotë mbetet tema kryesore e konsultimeve.

Bankat e nivelit të dytë kanë nisur diskutimin konkret, me Agjencinë Kombëtare të Informacionit, për të kaluar informacionet përmes e-Albania.

Synimi mbetet që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi të kryejnë veprimet përmes platformës online, përfshirë informacionin që do tu duhet por edhe për të realizuar pagesat.

Burime nga Shoqata e Bankave bëjnë të ditur, se ky ndërveprim vjen si kërkesë e bankave tregtare në vend, për të krijuar më shumë lehtësi për veprime.

Procedura është në proces diskutimi mes palëve, duke e vënë theksin te siguria.

Kjo duke kërkuar të mos cënohet privatësia e përdoruesve, nisur dhe nga sulmet kibernitike iraniane, që prej muajsh janë prezentë duke nxjerrë të dhëna sensitive.

Ndonëse është parashikuar që do të nis nga fillimi i vitit 2023, palët ende nuk kanë gjetur zgjidhjen përfundimtare.

Pagesat online në portalin e shërbimeve e-Albania, deri më tani bëhen përmes shërbimit e-commerce që ofrohet vetëm nga një prej bankave në vend. Kujtojmë që ky shërbim ka limite përdorimi, pasi mundëson vetëm kryerjen e pagesave me kartë bankare.

EMISIONET