DOKUMENTI/ Edhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” do t’i jepet privatit për “t’u rijetëzuar”
Ashtu si stadiumi “Selman Stërmasi” apo edhe Pallati i Kongreseve, edhe Pallati i Sporteve “Asllan Rusi” do të “rijetëzohet”, pra do t’i jepet privatit për të ndërtuar dhe zhvilluar më tej si pronë, ku me shumë mundësi do të ndërtohen edhe disa kulla të reja.
Ekofin.al konsultoi vendimin më të fundit të Këshillit Bashkiak Tiranë, ku jepet pëlqimi për të autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC) që të zhvillojë pasurinë aktuale, e llojit truall dhe ndërtesë, me një sipërfaqe totale prej 14,094.58 m2, nga kjo 5040 m2 ndërtesë, në pronësi të “Qëndrës Sportive” sh.a.
Në vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë theksohet se pronës i ndalohet ndryshimi i destinacionit si objekt sportiv në pronësi të “Qëndrës Sportive” sh.a.
Tashmë, priten procedurat për hapjen e thirrjes nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Rijetëzimin e Pallatit të Lojrave me Dorë “Asllan Rusi” në Tiranë, i cili kishte mbetur deri tani i vetmi pallat sportiv, i rrethuar nga të gjitha anët me kulla, pasi aktualisht në atë zonë po vijon ndërtimi.
AIC, pas disa vitesh në qetësi, ka shtuar së fundmi frekuencën e hapjes së konkurseve për zhvillimin e pronave publike, duke ia akorduar ato privatit.
Paralelisht janë të hapura dhe disa gara të tjera, si ato për zhvillimin e vilave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, Parku i Besimit në Petrelë, Lift Toëer, zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare në zonën e 21-dhjetorit, si edhe ajo për projektimin, ndërtimin dhe zhvillimin e Qëndrës Sportive ““Dyrrah City Sports Centre”./ Burimi: Ekofin.al