Dita Botërore e Konsumatorit/ Teliti: “Produkte të sigurta, konsumator me më shumë besim”

Këtë të premte, emisioni “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, solli në fokus temën “15 Marsi dhe sfidat e konsumatorëve”, duke vënë theksin te të drejtat e qytetarëve dhe mbrojtja e tyre në treg.

Origjina e Ditës Botërore të Konsumatorit lidhet me një nismë të presidentit amerikan John F. Kennedy, i cili, në një deklaratë para Kongresit, theksoi katër të drejta themelore të konsumatorit: e drejta për informim, liria e zgjedhjes, e drejta për produkte të sigurta dhe e drejta për raporte të drejta mes cilësisë dhe çmimit.

Në vijim të kësaj nisme, 15 Marsi u kthye në një ditë kushtuar mbrojtjes së konsumatorit, ndërsa edhe në politikat e Bashkimit Europian mbrojtja e tij mbetet një nga prioritetet kryesore.

E ftuar në studio ishte Ersida Teliti, Drejtore e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, e cila u shpreh se Dita e Mbrojtjes së Konsumatorit, më shumë se një datë për t’u shënuar, duhet të shërbejë si një moment reflektimi për politika më efektive dhe institucione më të forta në funksion të sigurisë së konsumatorëve.

Sipas saj, mbrojtja e konsumatorit lidhet si me produktet ushqimore, ashtu edhe me ato jo-ushqimore, ndërsa motoja e këtij viti, “produkte të sigurta, konsumator me më shumë besim”, synon të rrisë besimin e qytetarëve ndaj tregut dhe tregtarëve.

Teliti theksoi se ndërgjegjësimi dhe informimi i konsumatorëve mbeten thelbësore, pasi i gjithë zinxhiri i mbrojtjes është i ndërlidhur. Sipas saj, nëse mungon një konsumator i informuar dhe i ndërgjegjësuar, vihet në pikëpyetje edhe vetë efektiviteti i institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të tij.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET