Diplomë pa vlerë, ngërçi burokratik që po i lë në rrugë tre breza studentësh. Ja dëshmia
Prej tre vitesh, studentët e diplomuar pranë Universitetit të Sporteve përballen me një situatë absurde: përfundojnë studimet, por nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre si fizioterapistë.
Një ngërç institucional ka bllokuar të ardhmen e tre brezave të studentëve, duke e kthyer diplomën e tyre në një letër pa vlerë në tregun e punës.
Problemi qëndron në procedurën e liçencimit. Pas përfundimit të programit trevjeçar Bachelor dhe kryerjes së stazhit, studentët duhet t'i nënshtrohen provimit të shtetit për të marrë liçencën nga Urdhri i Infermierit.
Megjithatë, ata nuk lejohen të hyjnë në këtë provim. Shkaku është një detaj teknik në emërtimin e diplomës. Ndërkohë që Urdhri i Infermierit njeh vetëm profesionin e “Fizioterapistit”, diploma e lëshuar nga universiteti është në “Shkenca të Rehabilitimit”.
Kjo situatë ka krijuar një bllokadë burokratike. Një draft-VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave) që do t'i jepte zgjidhje çështjes, ka mbetur peng mes zyrave të shtetit. Dokumenti pret firmën e Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë, përpara se të kalojë për miratim final në mbledhjen e qeverisë me firmën e kryeministrit.
Ndërkohë, të diplomuarit mbeten në pritje. “Kanë mbaruar tre breza para meje dhe nuk kanë pasur të drejtën të bëjnë provimin e liçencimit”, shprehet një student i vitit të tretë.
Ai shpjegon se pa këtë liçencë, ata nuk mund të punësohen në mënyrë ligjore as në spitale, as në klinika private dhe as pranë ekipeve sportive. Pas viteve të tëra studimi dhe investimi, e ardhmja e tyre profesionale është pezull.
Apeli i tyre është i qartë dhe urgjent drejtuar institucioneve: “Ju lutem përshpejtoni procedurat dhe na garantoni të drejtën të bëjmë provimin e liçencimit”.
Ndërsa nga ana e rektoratit të universitetit ka njëfarë optimizmi për zgjidhjen e problemit, studentët vijojnë të presin që burokracia të lëvizë dhe t’u hapë rrugën për të ushtruar profesionin për të cilin janë përgatitur.


