“Diploma në dorë, por pa punë”/ Radonshiqi: Të rinjtë me rezultate të larta po përjashtohen nga tregu
Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, e ftuar në studion e Ora News, foli për vështirësitë që po hasin të rinjtë shqiptarë për t’u punësuar, edhe pse shumë prej tyre kanë përfunduar studimet me rezultate të larta.
Sipas saj, papunësia tek të rinjtë mbetet shumë e lartë dhe realiteti në tregun e punës është krejt ndryshe nga pritshmëritë që kanë studentët gjatë studimeve.
“Shoh që kam studentë masteri, madje edhe me rezultate ekselente nga bachelor-i, që kanë aplikuar sidomos në administratë publike me idenë që ka vende pune dhe pak aplikime. Ndërkohë realiteti është krejt ndryshe. Akoma kemi mungesë meritokracie në punësimin në administratën publike.”-u shpreh Radonshiqi.
Radonshiqi tha se problematika vazhdon edhe në sektorin privat, ku profesionet që kërkojnë diplomë universitare shpesh nuk paguhen sipas nivelit të kualifikimit.
“Sot kemi studentë me diploma, por nga ana tjetër kemi të diplomuar pa eksperiencë pune dhe pa aftësi praktike. Kur shkojnë te biznesi, biznesi ka kosto sepse duhet t’i trajnojë. Ndërkohë, tregu po paguan më shumë profesione që konsiderohen të nënvlerësuara.”-tha ajo.
Sipas ekspertes, hendeku mes universitetit dhe tregut të punës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, duke bërë që shumë të rinj të mos e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe të mendojnë largimin jashtë vendit.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


