Bujqësia përballë ndryshimeve klimatike, eksperti: Alarmi është real dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme

Ndryshimet klimatike po shfaqin gjithnjë e më shumë efekte të dukshme në bujqësinë shqiptare, një sektor që mbështet mijëra familje dhe që mbetet shtyllë e ekonomisë kombëtare.

Përmbytjet e ditëve të fundit në disa zona të vendit, të kombinuara me periudhat e gjata të thatësirës gjatë verës, po e bëjnë prodhimin bujqësor më të pasigurtë e të kushtueshëm.

Vendi mund të humbasë deri 7% të PBB-së dhe në 1 dekadë duhen 9.8 mld $ investime, sipas planit kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036’ hartuar nga ministria e Mjedisit ku kërkohet zbatimi i 66 masave prioritare në shtatë sektorë të ekonomisë.

 

Eksperti i bujqësisë, Gjok Vuksani, thotë se alarmi është real dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Thatësirat, rritja e temperaturave, sëmundjet e reja të bimëve dhe çrregullimet e cikleve sezonale janë fenomenet që, sipas ekspertëve, po dëmtojnë si rendimentet, ashtu edhe cilësinë e prodhimeve.

Ai shton se investimet në sisteme moderne të ujitjes, teknologji të qëndrueshme dhe programe mbështetëse për fermerët janë urgjente, sidomos në zonat që preken shpesh nga përmbytjet ose thatësira ekstreme.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të shpejta, vitet e ardhshme mund të shënojnë paqëndrueshmëri edhe më të madhe në furnizimin me produkte bujqësore dhe rritje të çmimeve ushqimore në treg.

EMISIONET