Bujqësi e suksesshme në Derven/ Fermeri Anton Gjokeja: I kënaqur nga produkti dhe shitjet
Një fermer në Derven ka arritur t’i promovojë më së miri produktet e tij si perime apo fruta. Pozicionimi në aksin Fushë-Kruje-Milot ka shërbyer si një pikë strategjike ku blerësit jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova e turistë të huaj, ndalojnë për të blerë tek ai.
Anton Gjokeja, fermeri nga Derveni prej 30 vitesh merret me kultivimin e fruta-perimeve ku fokus këtë periudhë vere ka shalqirin, pjeprin, misrin e produkte të tjera…
Me ndihmën e specialistëve të bujqësisë, ai ka arritur të sigurojë prodhimin më të mirë dhe cilësor të perimeve dhe kulturave të tjera.
Me cilësinë e lartë të prodhimeve të tij, ai ka arritur të fitojë besimin e klientëve vendas dhe të huaj.
Duke qenë i stacionuar në një vend strategjik në rrugën automobilistike Fushë-Kruje-Milot turistët e huaj që kalojnë aty ndalen gjithmonë.
Në veçanti, blerësit nga Kosova kanë bërë një pjesë të rëndësishme të klientëve të tij.
Përfitimet e një tregu të siguruar kanë lejuar shpërndarjen e produktit të tij nëpër të gjithë rajonin.
“Ka shitje, prodhimi është jashtëzakonisht i mirë. Ka 30 vite që kultivoj shalqi dhe pjepër dhe të gjithën e kam shitur. Vijnë klientela e përhershme, vijnë tregtarë nga Kosova, por dhe turistë”, shprehet ai.
Gjokeja është shembulli i një fermeri të përkushtuar i cili ka arritur ta gjejë suksesin në botën e bujqësisë.
Tregu i siguruar dhe besimi i klientëve e bëjnë të ndjehet krenar për arritjet e tij dhe e inkurajojnë për të shkuar më tutje në rrugën e suksesit bujqësor.




