Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore diskutime për stabilitetin bankar dhe projektet strategjike

Zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, procesi i hartimit të Ligjit të ri për Bankat dhe modernizimi i sistemeve të pagesave ishin në qendër të takimit ndërmjet Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe drejtorit ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Matteo Bugamelli.
Takimi u zhvillua në kuadër të Mbledhjeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington, DC.
Banka e Shqipërisë njofton se, Sejko dhe Bugamelli, diskutuan mbi ecurinë dhe sfidat që përballet sektori bankar shqiptar, i cili vijon të shfaqë stabilitet dhe qëndrueshmëri operacionale. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e reformimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor përmes hartimit të Ligjit të ri për Bankat, një nismë e rëndësishme që po mbështetet teknikisht nga Banka Botërore.
Gjithashtu, në takim u vlerësua mbështetja e Bankës Botërore në fushën e sistemeve të pagesave, përfshirë asistencën për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe bashkëpunimin për realizimin e projektit të pagesave të menjëhershme përmes platformës TIPS clone, që synon modernizimin e infrastrukturës financiare në vend.
Guvernatori Sejko dhe drejtori ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Matteo Bugamelli, konfirmuan partneritetin strategjik ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, si dhe angazhimin për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe forcimin e stabilitetit financiar në Shqipëri.


