Banka e Shqipërisë bleu 595 milionë euro në nëntëmujorin 2025, për të ruajtur stabilitetin financiar

Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke blerë mbi 108 milionë euro nga bankat e nivelit të dytë, me qëllim forcimin e rezervës valutore dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Sipas njoftimit të BSH-së, këto blerje janë realizuar përmes shtatë ankandeve dhe shënojnë një nivel më të lartë krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Gjatë nëntëmujorit 2025, Banka ka blerë gjithsej rreth 595 milionë euro, duke e bërë këtë një nga vitet me ndërhyrjet më të mëdha në tregun valutor.
Veprimet e Bankës së Shqipërisë janë kryer në përputhje me objektivat e politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Ndërhyrjet kanë ndihmuar gjithashtu në uljen e mungesës së likuiditetit në sistemin bankar dhe kanë lehtësuar menaxhimin e flukseve të larta valutore gjatë muajve të verës.
Paralelisht, BSH ka kryer edhe shitje valute për Ministrinë e Financave për mbulimin e nevojave të saj, si dhe disa blerje më të vogla nga institucione ndërkombëtare financiare. Banka e Shqipërisë thekson se ndërhyrjet nuk kanë si qëllim ndikimin e drejtpërdrejtë në kursin e këmbimit, por ruajtjen e funksionimit normal të tregut dhe forcimin e pozicionit financiar të vendit.

