ATP zhvlerësoi pronat, Vorpsi: U rivlerësuan 3800 pronarë, çmimi i papranueshëm
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka miratuar vlerësimin e pronës për mbi 3800 aplikues.
Shuma e dalë ka ardhur në zbatim të situatës së vjetër kadastrale dhe ajo asaj aktuale.
Pra nëse në momentin e sekuestrimit ka qenë sipërfaqe bujqësore, çmimi për metër katrorë është për këtë kategorizim edhe nëse në vitet e mëvonshme sipërfaqja është kthyer në truall.
"Agjencia kishte detyrimin edhe sipas nenit 19 të ligjit 133 që brenda tre muajve të parë të këtij viti të bënte vlerësimin përfundimtar të gjithë atyre vendimeve që u kishte ndryshuar zëri kadastral. Janë 3876 vendime që Agjencia u ka bërë vlerësimin përfundimtar."
Myshit Vorpsi në emër të Shoqatës Pronësi me Drejtësi shprehet se pronarët duhet ta kundërshtojnë këtë vlerësim, por edhe për ta ka një afat.
"Këta pronarë janë të detyruar që brenda datës 30 prill të këtij viti kur mbaron dhe afati 30 ditor i të drejtës që kanë pronarët për të ankimuar të ankimojnë këtë vlerësim të Agjencisë. Humbja e pronarëve nga kjo lojë që bëri parlamenti shqiptar dhe qeveria socialiste kur miratuan 133-shin synonte pikërisht këtë, që detyrimin që kishte shteti shqiptar ta ulte në maksimumin e mundshëm. Dhe përmes ndryshimeve ligjore e arriti."
Por sipas këtij vlerësimi do të ketë edhe familje që nuk marrin vlerë financiare.
Kjo pas llogaritjes së tokës që kanë marrë si kompensim, apo vlerave të tjera.
Pas rivlerësimit, shuma korrespondon me pjesën e mbetur.

