Akti Normativ, Malaj: 11.8 miliardë lekë, për investime, sigurinë digjitale dhe bujqësinë
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, diskutoi sot dhe miratoi Akt normativ nr. 6 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar”.
Duke marrë fjalën, ministri i Financave Petrit Malaj tha se, “rishikimi i dytë i buxhetit për vitin 2025, vjen pas analizës së performancës së projekteve për 5-mujorin e parë të vitit dhe synon mbështetje për investime publike në sektorë prioritar të ekonomisë”.
Sipas tij, Akti Normativ nr. 6 parashikon një rialokim fondesh në vlerën e rreth 11.8 miliardë lekëve, përfshirë 5.6 miliardë lekë të kursimeve të identifikuara që do të përdoren për forcimin e sigurisë digjitale dhe përmirësimin e infrastrukturës kombëtare; miratimin e skemës së re të Garancisë Sovrane për sektorin e bujqësisë, me vlerë 3 miliardë lekë dhe përmirësimin e teknologjisë së informacionit në administratën publike, në funksion të rritjes së efikasitetit të shërbimeve.
“Kemi një reflektim dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve për projekte që lidhen me IT-në. Nga kursimet, 3.3 miliardë lekë shkojnë për Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, disa miliardë lekë për projekte të zhvillimit të infrastrukturës, për një projekt të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, fonde shtesë te Ministria e Shëndetësisë për blerje pajisjesh mjekësore.
“Ndërkohë, 3 miliardë lekë janë për garancinë sovrane në sektorin e bujqësisë. Përmes kësaj synohet lehtësimi i aksesit në financë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ministria e Bujqësisë ka propozuar një skemë për të zgjidhur problemin e mungesës së kolateralit. Garancia sovrane do të mbulohet nga bankat tregtare. Reflektimi i ndryshimeve do të mundësojë ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor. Nëpërmjet këtij akti synohet që të rialokohen 11.8 miliardë lekë për forcimin e kapaciteteve shtetërore për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit”, tha ai.
Malaj, konfirmoi se pavarësisht ndryshimeve buxhetore, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në nivelin 68.1 miliardë lekë, siguron ruajtjen të pandryshuar të niveleve të planifikuara të të ardhurave të përgjithshme dhe nuk cenon parametrat e qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe kufijve të tij të miratuar.
“Mbetemi të angazhuar për të ruajtur konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit”, tha ministri Malaj.


