31% e ekonomisë për t’u ushqyer, Guxholli: I vetmi vend në Evopë që mendojmë për ushqimin. Turizmi nuk ndikoi te buxhetet e familjeve

Familjet shqiptare janë aq të varfra sa detyrohen që pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre t’i çojnë për t’u ushqyer.

Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për ushqime (të matura sipas standardit të fuqisë blerëse), në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose asaj që prodhon ekonomia në një vit, në 2022.

Kjo shifër është më e larta në Europë dhe shumë më tepër sesa mesatarja prej 6.3% e PBB-së së Bashkimit Europian.

Për të kuptuar më shumë nga këto shifra në studion e lajmeve në “Ora News”, ekspertja e Ekonomisë Suzana Guxholli u shpreh se sa i përket buxhetit të familjeve dhe mirëqënies konkrete të individëve apo familjeve nuk ka rritje.

Përkundrazi, tha ajo, siç dëshmohet edhe nga shifrat ka rënie.

“Shqipëria në vitin 2023 u vu në qendër të turizmit, ku sektori pati një rritje të pakrahasueshme me zhvillimet e mëparshme. Dhe kjo falë politikës së madhe publicitare që iu vendit tonë, dhe kjo pati jehonë.

Por e gjitha është se si është përkthyer gjithë kjo rritje?! Shifrat tani tregojnë se në buxhetet familjare nuk ka rritje dhe nuk ëhstë ndikuar aspak nga këto të ardhurat e mëdha në arkat e shtetit.

Kjo sepse që të ndihet në buxhetet familjare mirëqënia është e lidhur shumë jo vetëm me rritjen e të ardhurave, por se si e bën qeveria politikën e shpërndarjes së të ardhurave.

Dhe këto shifra tregojnë që të ardhurat nuk kanë shkuar në familjet shqiptare, të cilat shpenzojnë shumë për t’u ushqyer.

Dhe kjo do të thotë se rrogat janë të vogla, prandaj përqindja është shumë e madhe. Kriza e rritjes së çmimeve ka bërë që jo vetëm të mos ketë ulje, por përkundrazi mbahet në nivele të larta.

Pra, ne jemi vendi i vetëm në Evropë që kemi përqindje të lartë të shpenzimit sa i përket ushqimit”, u shpreh ndër të tjera ekspertja e Ekonomisë Suzana Guxholli.

ekonomia lili saraçi suzana guxholli

EMISIONET