E paprecedentë/ Kavajë mbështetësit e Veliajt dhunojnë gazetarin dhe grupin e xhirimit të Ora News

 

Erion Veliaj njihet për shmangien e pyetjeve nga gazetarët e Ora News, duke pranuar vetëm kasetat e gatshme si pjesë e komunikimit të tij me publikun.

Skenari i refuzimit të pyetjeve reale nga truproja që mbajnë larg reporterët u përsërit ditën e dielë.

Kësaj radhe në një mënyrë shumë herë më të mundshme.

Këto janë momentet e para të ardhjes së Veliaj në një takim elektoral në zonën e Kavajës.
Siç e tregojnë edhe pamjet, kryebashkiakun e kanë rrethuar në formë barriere një numër i konsiderueshëm militantësh, a thua se drejtuesi vendor po vizitonte një rajon lufte.

I pasuksesshëm në tentativën e parë, ndonëse nuk mungoi tensioni, gazetari, Ronaldo Sharka ka pritur me qetësi deri në përfundimin e aktivitetit, duke respektuar fushatën elektorale.

Me të njëjtin skenar, Veliaj nis operacionin e evakuimit nga podiumi drejt veturës, që pret ndezur në dalje të hapësirës së rrethuar.

Militantët e vetëshpallur truproja, ndonëse nuk kanë asnjë tagër ligjor në këtë drejtim, bllokojnë sërish reporterin, i cili kishte në arsenalin e tij një mikrofon, e një pyetje jo të gatshme.


Ndonëse vëren një skenë dhunë në mënyrë skandalozë, Veliaj vijon të futet i qetë në makinë dhe sulmi ndaj gazetarit pak metra më tutje kaloi pa shumë përshtypje nga ana e tij.
Deri në momentin që kamera filmon, gazetari Ronaldo Sharka është rrethuar e goditur nga një turmë, prej të paktën 40 militantësh.

Gjithashtu prej dhunës së militantëve kanë rënë edhe pjesëtarë të tjerë të grupit të xhirimit, përfshirë operatorin dhe shoferin.

Pas ngjarjes të 3 pjesëtarët të grupit të xhirimit kanë zgjedhur rrugën ligjore për zgjidhjen e kësaj çështje, duke dorëzuar një kallëzim në policinë e Kavajës.

Ora News dënon dhe denoncon më forcë këtë ngjarje dhe çdo formë tjetër të dhunës, apo presionit ndaj gazetarit në ushtrimin e detyrës së tij.

E drejta e fjalës dhe ajo e informimit përbëjnë liri kushtetuese dhe ligjore.

Askush nuk mund t'i shtypi, as t'i tjetërsoj qofshin ata njerëz të zakonshëm, apo të pushtetshëm.

EMISIONET