Dosja 184/ "Amnistohen" në Dibër, vetëm katër të akuzuar për shitblerjen e votës
Pas ecejakeve të gjata nga SPAK në Prokurorinë e Dibrës, kjo e fundit i ka dhënë fund hetimeve për shitblerjen e votave. 4 ish-zyrtarë rajonalë, të cilët dolën edhe në përgjimet e “Bild” do të merren të pandehur për akuzat shpërdorim detyre deri ne kanosje të zgjedhësve.
Prokuroria e Dibrës i ka dhënë fund hetimeve për dosjen e njohur me numrin 184 dhe ka marrë të pandehur 4 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij qarku, ndaj të cilëve rëndojne akuza nga shpërdorim detyre deri ne kanosje të zgjedhësve
Mësohet se i pandehur është marrë Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre
Drini Gjeci ish-drejtor i Arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve.
Nuri Meda zyrtar në njësine administrative Tomin akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe Hasan Hoti Njësia administrative Lure akuzuar për kanosje të zgjedhësve.
Mësohet se për pjesën tjetër të personave nën hetim Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, afrim Mikli, prokuroria ka kërkuar pushimi i çështjes.
Prokuroria ka konstatuar se ata kane kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3 vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj nuk mund të merren në përgjegjësi penale.
Dosja "184" u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për dyshime mbi shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës, kur fitues doli Muharrem Rama i PS përballë Sherefedin Shehut të PD.
Në vitin 2019 gazeta gjermane "Bild" publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Dosja u tranferua disa here nga spak ne Dibër ndërsa pas katër vitesh më në fund u dërgua në gjykatë.
Konkluzionet e prokurorisë Dibër për dosjen "184"
Akuzohen për veprën penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016) shtetasit:
1-Korab Lala, i njohur ndryshe edhe si Imer Lala
2-Robert Aga
3-Afrim Mikli,
4-Drini Gjeci
5-Arben Keshi
6-Hasan Hoti
7-Bekim Krashi
8-Nuri Meda
9-Fatbardh Lala
10-Ylli Mikli
11-Dik Spata
(Tre të fundit gjatë hetimit të këtij procedimi penal kanë patur statusin e të kallëzuarit)
Pavarësisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), nga personat e mësipërm, organi i prokurorisë ka vlerësuar se ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar, për faktin se nga momenti i kryerjes së veprës penale që është periudha shtator 2016, ka kaluar afati 3 vjeçar i ndjekjes penale.
Me këtë arsyetim, Prokuroria Dibër, me datë 18 dhjetor 2020, ka vendosur pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj personave nën hetim 1-Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), 2-Robert Aga, 3-Afrim Mikli, 4-Drini Gjeci, 5-Arben Keshi, 6-Hasan Hoti, 7-Bekim Krashi dhe 8-Nuri Meda.
Gjithashtu Prokuroria Dibër, ka dërguar për gjykim si pjesë e këtij hetimi penal, shtetasit:
-Robert Aga, në atë kohë me detyrë Shef i komisariatit të Policisë Dibër, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
-Drini Gjeci, në atë kohë me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale ArsimoreRajonale Dibër, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 dhe 329/3, të Kodit Penal.
-Hasan Hoti, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Lurë, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal.
-Nuri Meda, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Tomin, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.