Zyrtari i afërt me Trump akuzon Indinë se po financon luftën në Ukrainë përmes blerjes së naftës ruse

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe të besuar të presidentit amerikan Donald Trump, Stephen Miller, akuzoi Indinë të dielën se, përmes blerjeve të saj të naftës nga Rusia, po ndihmon financiarisht luftën e Moskës në Ukrainë. Kjo deklaratë sinjalizon një shtim të presionit të administratës Trump ndaj New Delhi-t që të ndalojë këto transaksione me Kremlinin.
“Ajo që Presidenti Trump ka thënë shumë qartë është se nuk është e pranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë duke blerë naftë nga Rusia,” deklaroi Miller, zëvendësshef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë për emisionin ‘Sunday Morning Futures’ në Fox News.
Ai shtoi se shumë amerikanë do të habiten kur të mësojnë se India është rreshtuar përkrah Kinës në blerjen e naftës ruse, duke e cilësuar këtë si një zhvillim “befasues dhe shqetësues”.
Sipas burimeve të qeverisë indiane, të cituara nga Reuters, India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara. Ambasada indiane në Uashington nuk komentoi menjëherë mbi deklaratat e Miller.
Tensionet u përshkallëzuan më tej të premten, kur SHBA vendosi tarifa doganore 25% ndaj produkteve indiane, si përgjigje ndaj marrëveshjeve të Indisë për blerje të pajisjeve ushtarake dhe energjetike nga Rusia.
Trump ka kërcënuar gjithashtu me vendosjen e tarifave deri në 100% ndaj eksporteve të vendeve që blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje paqeje thelbësore me Ukrainën.
Megjithë kritikën publike ndaj politikës së New Delhi-t, Miller theksoi se marrëdhënia personale mes Donald Trump dhe kryeministrit indian Narendra Modi mbetet “e shkëlqyer”, duke lënë të hapur mundësinë për dialog të mëtejshëm mes dy aleatëve strategjikë në rajonin Indo-Paqësor.

