Zgjerohet harta e ‘paqes’, Rusia do ndalojë sulmet në 5 qytete për të lejuar civilët të largohen
Të martën pritet të zbatohet armëpushimi në 5 qytete të Ukrainës për lejimin e civilëve që të largohen nga vendi, Kievi zyrtar nuk ka rënë dakord plotësisht pasi korridoret humanitare do t’i lejojnë ukrainasit të shkojnë vetëm në Rusi apo Bjellorusi.
Rusia ka propozuar që të ndalojë sulmet në 5 qytete të Ukrainës për të lejuar civilët që të largohen nga vendi edhe pse Kievi nuk ka rënë dakord ende.
Armëpushimi ka filluar që në orën 10 me orën e Moskës duke hapur korridoret humanitare të evakuimit në Kiev, Çernhiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupoll.
Rusia e Ukraina ranë dakord në parim edhe për dy armëpushime të tjera më herët të cilat u zbatuan pjesërisht pasi palët akuzuan njëra-tjetrën se e prishën marrëveshjen.
Të hënën, 7 mars delegacioni rus dhe ai ukrainas u takuan në Bjellorusi për raundin e tretë të bisedimeve, për të cilat përfaqësuesit thanë se nuk pati shumë progres dhe se u diskutua për korridoret humanitare.
Sipas raportimeve pritet që të martën të mbahet raundi i dytë i bisedimeve.
Kreu i çështjeve humanitare Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.
Ukraina ka refuzuar të hënën propozimin rus për largimin e civilëve, pasi shumë nga rrugët e evakuimit çonin vetëm në Rusi ose në Bjellorusi.
Ndërkohë pritet që dy ministrat e Jashtëm të Ukrainës e Rusisë të takohen në Antalia të Turqisë në 10 mars.

