Zelensky dhe Starmer bien dakord për partneritet të ri ushtarak përpara samitit të NATO-s

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë rënë dakord për lidhje më të ngushta mbi prodhimin ushtarak midis Britanisë së Madhe dhe Ukrainës, ndërsa dyshja u takua përpara samitit të rëndësishëm të NATO-s, këtë javë.
Presidenti ukrainas, Zelensky u takua sot pasdite me kryeministrin britanik, pasi u prit në Kështjellën Windsor nga Mbreti Charles III.
Zelensky, i cili zakonisht shihet i veshur me uniforma ushtarake, mbante veshur një xhaketë dhe pantallona të zeza gjatë vizitave të tij sot në Londër.
Pas takimit, të dy udhëheqësit njoftuan një partneritet të ri ushtarak para ushtarëve nga Britania e Madhe, Ukraina dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
“Jam vërtet krenar t’ju njoftoj një marrëveshje bashkëprodhimi industrial ushtarak, e para e këtij lloji deri më tani mes Ukrainës dhe BM-së – e cila do të jetë një hap i madh përpara në kontributin që mund të vazhdojmë të japim në këtë konflikt”, tha Starmer.
Zelensky tha se marrëveshja do të forconte të dy kombet. “Është shumë e rëndësishme të ndajmë përvojën tonë, në fushën e betejës, dhe njohuritë gjatë misionit të trajnimit Interflex”, tha ai.
Starmer vlerësoi nivelin e profesionalizmit, angazhimin dhe trimërinë dhe qëndrueshmërinë e ushtarëve që po trajnohen përmes “Interflex”.

