Zbulohet një nodul i vogël në prostatën e Biden-it

Ekzaminimi i rregullt mjekësor i ish-presidentit Biden javën e kaluar zbuloi një “nodul të vogël” në prostatën e tij, konfirmoi zëdhënësi i tij të martën.
“Gjatë një kontrolli rutinë u zbulua një nodul i vogël në prostatë që kërkoi vlerësime të mëtejshme,” i tha një zëdhënës i Biden-it rrjetit motër të The Hill, NewsNation. Zëdhënësi nuk dha më shumë detaje.
Sipas The New York Times, Biden, 82 vjeç, kaloi të premten në një spital në Filadelfia, i cili ishte edhe burimi i parë që raportoi zhvillimin.
Biden u largua nga Zyra Ovale në janar si komandanti më i moshuar në detyrë në historinë e SHBA-ve.
Ish-presidentit iu hoq një lezion nga kraharori gjatë ekzaminimit fizik në vitin 2023. Sipas mjekut të tij personal, dr. Kevin O’Connor, lezioni ishte karcinomë bazocelulare.
“Vendi ku u mor biopsia është shëruar mirë dhe presidenti do të vazhdojë kontrollin dermatologjik si pjesë e kujdesit të tij shëndetësor të përgjithshëm,” tha mjeku në atë kohë.
Mandati katërvjeçar i Biden-it u shoqërua me shqetësime për shëndetin dhe moshën e tij të avancuar. Ish-presidenti hoqi dorë nga gara për rizgjedhje në korrik.
Ai është rikthyer në qendër të vëmendjes javët e fundit, megjithëse kthimi i tij ka shkaktuar reagime negative nga disa demokratë. Ai dha një intervistë për BBC-në, të parën që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, dhe u shfaq në emisionin “The View” në ABC, së bashku me bashkëshorten e tij, ish-zonjën e parë Jill Biden.

