Von der Leyen: Ballkani Perëndimor i takon BE-së, duhet t' tregojmë se jemi partneri favorit

Von der Leyen: Ballkani Perëndimor i takon BE-së, duhet t'

Në prag të nisjes së samitit të Sllovenisë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se e konsideron të rëndësishme që BE-ja ta qartësojë për vendet e Ballkanit Perëndimor se sa shumë kujdeset për to dhe se blloku evropian është partneri i tyre i preferuar.

Ajo ka thënë se përgjatë viteve është parë se sa kanë përfituar vendet që janë bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se të njëjtën gjë e dëshiron edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se Bashkimi Evropian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme.Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera. Ne duam t’ju tregojmë se sa shumë kujdesemi për ta dhe se ne jemi partneri favorit për ta”, u shpreh Von der Leyen. 

Sipas një deklarate që ka parë Radio Evropa e Lirë, e cila pritet të miratohet të mërkurën, Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian.

Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

“Ne gjithashtu riktheksojmë rëndësinë që BE-ja të mbajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke u siguruar për kapacitetin e saj që të integrojë anëtarë të rinj”, përmendet mes tjerash në deklaratë.

Nga shtetet e Ballkanit, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën drejt BE-së, ndërkaq, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë hapur negociatat për anëtarësim, pasi Bullgaria ka vendosur veto, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten të fundit, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

EMISIONET