Viza Shengen në këmbim të parave/ Ish-ambasadori i Uzbekistanit arrestohet për skemën e paligjshme korruptive

Policia italiane ka arrestuar ish-ambasadorin e Italisë në Uzbekistan, Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, nën dyshimet për përfshirje në një skemë të paligjshme të lëshimit të vizave Shengen nga ambasada italiane në Tashkent. Së bashku me të po hetohet edhe bashkëpunëtorja e tij, Tatiana Tarakanova.
Sipas prokurorisë së Romës, të dy dyshohen për lehtësim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion, duke përdorur detyrën zyrtare për përfitime personale.
Hetimet tregojnë se është krijuar një sistem i jashtëligjshëm për dhënien e vizave turistike afatgjata për shtetas rusë që nuk plotësonin kriteret për hyrje në zonën Shengen. Për çdo vizë, aplikantët dyshohet se kanë paguar nga 4 mijë deri në 16 mijë euro, ndërsa tarifa zyrtare ishte vetëm 45 deri në 60 euro.
Autoritetet italiane dyshojnë se procesi ishte i lidhur edhe me agjenci udhëtimesh në Moskë dhe se të paktën 95 persona kanë përfituar viza pa ndjekur procedurat ligjore, si paraqitja personale në konsullatë apo kriteret e rezidencës.
Në disa raste, aplikimet janë dërguar edhe përmes aplikacionit Telegram dhe janë përpunuar jashtë rregullave zyrtare.
Hetimi ka nisur pas një kontrolli të Ministrisë së Jashtme italiane vitin e kaluar, ku janë konstatuar parregullsi në dokumentet e vizave dhe mungesë e të dhënave për aplikantët.
Prokurorët po verifikojnë gjithashtu biseda të përgjuara, ku ish-ambasadori dyshohet se ka përmendur nevojën për para, si dhe po hetojnë rreth 400 dosje vizash dhe pasuri të lidhura me të, me vlerë rreth 3 milionë euro.


