VIDEO/ Trump: Kosova e Serbia po shkonin drejt luftës, u thashë se nëse ndodh s’ka më tregti me SHBA-në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump iu rikthye sërish Kosovën e Serbinë, duke deklaruar se i kërcënoi të dyja palët me ndalim të tregtisë me SHBA-në nëse shpërthente lufta.
Deklarata u bë në një konferencë për shtyp sot pasdite.
Trump u tha gazetarëve se gjatë këtyre javë ka bërë shumë punë, duke shtuar se tensionet mes dy vendeve ishin në pikën kritike dhe se ndërhyrja e tij ishte vendimtare.
“Kemi bërë shumë punë. Nuk e di nëse ka ndonjë president që ka punuar më shumë se unë. Serbia dhe Kosova, do të shkonin drejt një përplasje të madhe, drejt luftës.
Unë thashë që, nëse ndodh kjo, ju nuk do të bëni tregti me SHBA-në. Ata më thanë: ‘Mbase nuk do të shkojmë drejt asaj.’ Kjo situatë ka ndodhur edhe me Indinë dhe Pakistanin.
Ai e krahasoi këtë rast edhe me tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se kërcënimi me izolim ekonomik funksionoi edhe aty.
“Ashtu ndodhi edhe me Indinë dhe Pakistanin që po shkonin drejt një konflikti bërthamor. Po negocioja me të dyja palët dhe u thashë ndihmësve të mi: Anuloni të gjitha marrëveshjet tregtare me Indinë dhe Pakistanin.
Ata më telefonuan: ‘Çfarë të bëjmë?’ U thashë: Nëse doni tregti me SHBA-në, shumë mirë.
Nëse doni të përdorni armë bërthamore, atëherë jo. Dhe të dyja palët ranë dakord”, shtoi presidenti amerikan.
Trump theksoi se përpjekjet e tij diplomatike shpesh janë nënvlerësuar, duke u shprehur se “nuk e di nëse ka pasur president që ka bërë më shumë se kaq”.
Ai gjithashtu përmendi edhe një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin për çështjen e Iranit.
“Putin më telefonoi dhe tha: ‘Do të doja shumë të të ndihmoja me Iranin’. I thashë: ‘Më bëj një nder. Iranin do ta zgjidh unë. Më ndihmo me Rusinë.
Duhet ta zgjidhim këtë çështje. Dhe besoj se do të ketë lëvizje’”, ka përfunduar Trump.
Edhe pak ditë më parë Trump përsëriti se e ndali “konfliktin” mes Kosovës dhe Serbisë me Marrëveshjen e Washingtonit, që u nënshkrua në shtator të 2020-s në Shtëpinë e Bardhë.
Minuta 55:13 kur Donald Trump bën deklaratën për Kosovën dhe Serbinë.

