VIDEO/ Rindizet lufta! SHBA godet 90 objektiva të tjera ushtarake iraniane

VIDEO/ Rindizet lufta! SHBA godet 90 objektiva të tjera ushtarake iraniane

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane, duke goditur rreth 90 objektiva strategjikë.

Sipas deklaratës së CENTCOM, operacionet e zhvilluara më 8 korrik kishin në shënjestër sistemet e mbrojtjes ajrore, asetet e mbikëqyrjes bregdetare, depot e raketave dhe dronëve, kapacitetet detare si dhe infrastrukturën logjistike ushtarake përgjatë bregdetit iranian.

“Forcat e CENTCOM përfunduan një raund shtesë sulmesh kundër Iranit për të zvogëluar më tej aftësinë e tij për të sulmuar anijet tregtare dhe personelin detar civil në Ngushticën e Hormuzit”, thuhet në deklaratën e publikuar në platformën X.

Sulmet e fundit vijnë vetëm 24 orë pas një serie tjetër operacionesh ushtarake amerikane, gjatë të cilave, sipas autoriteteve amerikane, u goditën edhe 80 objektiva të tjera ushtarake iraniane.

Nga ana tjetër, Teherani ka reaguar me sulme ndaj bazave amerikane në rajon dhe ka paralajmëruar se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të lejohet vetëm në bazë të asaj që e cilëson si “marrëveshje iraniane”.

Paralajmërimet kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në rajon dhe kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Përshkallëzimi i konfliktit ka alarmuar vendet e Gjirit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, për shkak të rrezikut të një konflikti më të gjerë që mund të ndikojë në stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale.

EMISIONET