VIDEO/ Pas kaosit në aeroportin e Mynihut nisin fluturimet, reagon presidenti i Rusisë: Nuk do ta bëj përsëri...

Në aeroportin e Mynihut në Gjermani kanë rinisur përsëri fluturimet pas një pezullimi, i cili ndodhi për shkak të disa dronëve të paautorizuar që po lëviznin në territorin e aeroportit, ku u anuluan të paktën 17 fluturime.
Zyrtarët nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë se nga e kishin origjinën dronët ose kush i operonte ato.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi se do të ngrejë çështjen e mbrojtjes kundër dronëve të shtunën në një takim të ministrave të brendshëm evropianë.
Gjithashtu ministri tha se do të propozojë dhe legjislacionin për policinë që t'i kërkojë ushtrisë të rrëzojë dronët.
Ngjarjet e fundit në lidhje me dronët nxitën Bashkimin Evropian që të mblidhnin samitin e liderëve në Kopenhagen më herët gjatë kësaj jave.
Disa shtete anëtare të BE-së kanë mbështetur planet për një "mur dronësh" shumështresor për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar shpejt dronët rusë.
Njëzet dronë rusë kaluan në Poloni dhe avionë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë, aeroportet e Kopenhagenit dhe Oslos u detyruan të mbyllen pasi dronë të paidentifikuar u panë pranë hapësirave ajrore të aeroportit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha përpara samitit se ndërhyrjet në hapësirën ajrore po përkeqësohen dhe se është “e arsyeshme të supozohet se dronët vijnë nga Rusia”.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa autoritetet daneze thonë se nuk kishte prova se Moska ishte e përfshirë.
Duke folur në një samit në qytetin turistik të Detit të Zi, Soçi, të enjten, Presidenti rus Vladimir Putin qeshi me sugjerimet se ishte ai që urdhëroi dronët për Danimarkën.
"Nuk do ta bëj përsëri. Nuk do ta bëj përsëri, as në Francë, as në Danimarkë apo në Kopenhagen", tha Putin.

