Vendet Konventës së Minamatës bien dakord të ndalojnë mbushjet dentare me merkur deri në vitin 2034

Vendet Konventës së Minamatës bien dakord të ndalojnë

Vendet anëtare të Konventës së Minamatës në Gjenevë ranë dakord të heqin gradualisht përdorimin e amalgamave dentare që përmbajnë merkur deri në vitin 2034, duke shënuar një hap historik drejt ndalimit të këtij metali toksik në stomatologji.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit merkurin ndër 10 kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik. Disa shtete e kanë ndaluar tashmë përdorimin e tij në mbushje, të përdorura për më shumë se 175 vjet. Konventa e Minamatës, e nënshkruar nga mbi 150 vende që nga viti 2013, synon mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja me merkur.

Në konferencën e këtij viti, palët miratuan ndryshime që përcaktojnë ndalimin global të amalgamave dentare deri në 2034. "Ky vendim i bazuar në shkencë është një hap vendimtar drejt eliminimit të plotë të përdorimit të merkurit në stomatologji dhe një e ardhme më e sigurt për të gjithë," u tha në deklaratën përfundimtare.

Grupi i vendeve afrikane kërkonte një afat më të afërt, duke propozuar ndalimin e prodhimit dhe tregtisë së tyre që nga viti 2030. Megjithatë, pas debateve, ku disa vende si Irani, India dhe Britania shprehën rezerva, u arrit kompromisi për vitin 2034. "Ne sapo hapëm një kapitull të ri në historinë e merkurit," tha sekretarja ekzekutive e konventës, Monika Stankiewicz.

Bashkimi Europian e quajti marrëveshjen "një arritje të rëndësishme që do të sjellë përfitime afatgjata për shëndetin dhe mjedisin," ndërsa Meksika e përshkroi si "një hap ambicioz, por realist, drejt një të ardhmeje pa merkur."

Konferenca miratoi gjithsej 21 vendime, përfshirë nisma kundër kozmetikës për zbardhjen e lëkurës që përmban merkur dhe për ndalimin e përdorimit të tij në nxjerrjen e arit në shkallë të vogël. Presidenti i konferencës, Osvaldo Alvarez Perez, tha: "Kemi vënë objektiva të reja ambicioze dhe kemi lënë merkurin pak më shumë pas nesh."

EMISIONET