UNRWA/ OKB: 9 punonjës mund të jenë përfshirë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit

UNRWA/ OKB: 9 punonjës mund të jenë përfshirë në

Nëntë anëtarë të stafit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinez (UNWRA), mund të kenë qenë të përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 dhe ata do të pushohen nga puna, thanë Kombet e Bashkuara të hënën.

"Për nëntë persona, provat ishin të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se ata mund të kenë qenë të përfshirë në sulmet e 7  tetorit," tha zëvendëszëdhënësi, Farhan Haq.

Ai i referohej gjetjeve të Zyrës së OKB-së për Shërbimet e Mbikëqyrjes së Brendshme, e cila tha se kishte përfunduar hetimin e saj për përfshirjen e supozuar të 19 anëtarëve të stafit të UNRWA në sulme.

"OIOS bëri gjetje në lidhje me secilin nga 19 anëtarët e stafit të UNRWA-s, që pretendohet se kanë qenë të përfshirë në sulme," tha ai.

“Në një rast, OIOS nuk ka marrë asnjë provë për të mbështetur pretendimet për përfshirjen e anëtarit të stafit, ndërsa në nëntë raste të tjera, provat e marra nga OIOS ishin të pamjaftueshme për të mbështetur përfshirjen e anëtarit të stafit”, tha ai.

Haq tha se të nëntë individët për të cilët hetimi doli në përfundimin se mund të kenë qenë të përfshirë,  ishin burra. Ai nuk dha detaje se çfarë mund të kenë bërë, por tha: "Për ne, çdo pjesëmarrje në sulme është një tradhti e jashtëzakonshme ndaj llojit të punës, që ne supozohet të bëjmë në emër të popullit palestinez."

Kombet e Bashkuara nisën hetimin, pasi Izraeli akuzoi se 12 pjesëtarë nga stafi i UNRWA-s morën pjesë në sulmet e 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi që shkaktuan luftën në Gaza.

Izraeli i shtoi akuzat e tij në mars, duke thënë se mbi 450 punonjës të UNRWA ishin operativë ushtarakë në grupet terroriste të Gazës. UNRWA punëson 32,000 njerëz në të gjithë zonën e saj të operimit, 13,000 prej tyre në Gaza.

UNWRA tha në mars se disa punonjës të liruar në Gaza nga paraburgimi izraelit raportuan se u është bërë presion nga autoritetet izraelite për të deklaruar në mënyrë të rreme se agjencia ka lidhje me Hamasin dhe se stafi ka marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit.

EMISIONET