Turqia: Suedia dhe Finlanda të fillojnë me hapa konkretë. Kuptojini shqetësimet tona legjitime

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka thënë se Suedia dhe Finlanda duhet të ndërmarrin tani “hapa konkretë” për të zbutur shqetësimet e vendit të tij për sigurinë, që të tejkalojnë kundërshtimet e Ankarasë ndaj kandidimit të tyre për anëtarësim në NATO.
Turqia e ka kundërshtuar hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO që në fillim.
Për këtë, Ankaraja ka përdorur mbështetjen për militantët kurdë, të cilët Turqia i konsideron terroristë, si dhe kufizimet për shitjen e armëve për Turqinë.
Të dyja vendet nordike i hodhën poshtë pretendimet e Turqisë.
Ministri turk tha se qasja se “ne do ta bindim gjithsesi Turqinë me kohë, ne jemi miq dhe aleatë” nuk do të ishte e drejtë.
“Këto vende duhet të ndërmarrin hapa konkretë. Ne i kuptojmë shqetësimet e sigurisë të Finlandës dhe Suedisë, por të gjithë duhet të kuptojnë gjithashtu shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë,” tha ai.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës fqinje.

