Turistët shmangin destinacionet e nxehta, shtigjet malore dhe veriore kthehen në modë këtë verë

Ndërsa një valë e re e të nxehtit ka përfshirë Evropën me temperatura që kapërcejnë 40°C, udhëtarët kanë filluar të ndryshojnë destinacionet e tyre të pushimeve.
Sipas një studimi të ri nga CaixaBank, deri në 14 përqind e turistëve ndërkombëtarë që zakonisht zgjedhin Spanjën për pushime, këtë verë po orientohen drejt vendeve më të freskëta për shkak të valëve të përsëritura të të nxehtit.
Kjo prirje ka sjellë rritje të ndjeshme të kërkesës për destinacionet malore dhe veriore – të ashtuquajturat ‘kacione ftohëse’.
HF Holidays, një kompani britanike që ofron pushime në këmbë, ka raportuar se shumica e udhëtimeve në zona të tilla janë shitur plotësisht. Ekspertët thonë se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi të madh në preferencat e verës.
Për ata që kërkojnë arratisje të freskëta dhe aventura në natyrë, disa shtigje ecjeje në Evropë po spikatin për bukuritë dhe qetësinë që ofrojnë:
1. Cammino Retico, Itali
Një shteg i ri prej 170 kilometrash në Dolomitet e Italisë ofron një rrugëtim të mrekullueshëm përmes peizazheve alpine dhe fshatrave të izoluara në Venetos dhe Trentino. Ecja zgjat zakonisht shtatë ditë dhe ndjek gjurmët e popullit të lashtë Raeti.
2. Shtegu i Arkipelagut, Suedi
I hapur në tetor të vitit 2024, ky shteg 270-kilometra i gjatë lidh mbi 20 ishuj në arkipelagun e Stokholmit. Rruga është e pajisur me stola, streha dhe vende për zjarr, duke e bërë atë ideale për ata që kërkojnë natyrë të paprekur dhe qetësi nordike.
3. Malet Tatra, Poloni–Sllovaki
Ideale për fillestarët në alpinizëm, Malet Tatra ofrojnë shtigje të arritshme dhe pamje mbresëlënëse. Në anën sllovake, turistët mund të përdorin teleferikë për të arritur majat më të larta si Lomnitz, në një lartësi prej 2634 metrash.
4. Rruga e Shën Olavit, Norvegji
Ky pelegrinazh i lashtë drejt Katedrales së Trondheimit është ndër më historikët në Evropë. Me disa itinerare të mundshme, rruga kalon përmes fjordeve dhe maleve norvegjeze dhe kërkon planifikim të mirë për shkak të akomodimeve të shpërndara. Më e përshtatshme për ecje nga maji deri në gusht.
Ndërsa ndikimet e ndryshimeve klimatike bëhen gjithnjë e më të dukshme, duket se udhëtarët po i kthejnë sytë nga natyra e freskët dhe aktivitetet fizike në vende më të ftohta – jo vetëm si një zgjedhje turistike, por edhe si një mënyrë për t’i shpëtuar temperaturave ekstreme.

