TUNEL NË AFËRDITË/ Zbulime të reja shkencore nga analiza e misionit hapësinor
Në planetin Afërditë zbulohet një tunel nëntokësor. Sipas të dhënave të misionit Magelani të Nasës, nën sipërfaqen e planetit ekziston një zgavër, e dyta e zbuluar, lindur nga një aktivitet vullkanik intensiv. Zbulimi është mjaft I rëndësishëm, pasi hedh dritë dhe informacione të reja mbi një planet për të cilin ende sot dimë fare pak.

Një zbulim I ri nga planeti Afërditë mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë planetin fqinj të Tokës. Të dhëna të reja të analizuara nga misioni Magellan I NASA-s kanë zbuluar praninë e një tuneli nëntokësor nën sipërfaqen e Afërditës, zgavra e dytë e identifikuar deri më tani në këtë planet.
Sipas studiuesve të Universiteti I Trentos, zgavra ndodhet në zonën perëndimore të njohur si Nyx Mons dhe mendohet të jetë krijuar si pasojë e aktivitetit intensiv vullkanik. Ky zbulim është I rëndësishëm, pasi hedh dritë mbi historinë gjeologjike të Afërditës dhe vë në diskutim teorinë aktuale se planeti është gjeologjikisht I vdekur.
Të dhënat janë mbledhur që në vitin 1992, kur misioni Magellan realizoi hartëzimin e plotë të sipërfaqes së planetit përmes valëve radar. Për shkak të reve të dendura me acid sulfurik dhe squfur që mbulojnë Afërditën, vëzhgimi I drejtpërdrejtë është pothuajse I pamundur, ndaj teknologjia radarike mbetet mjeti kryesor për studime të tilla.
Megjithatë, përmasat e sakta të tunelit dhe struktura e tij do të kërkojnë analiza të mëtejshme. Shpresat janë te dy misionet e ardhshme: EnVision I Agjencia Hapësinore Evropiane dhe VERITAS I NASA-s, të cilat pritet të ofrojnë të dhëna më të detajuara për strukturën e brendshme të planetit.
Afërdita, e njohur edhe si Ylli I Mbrëmjes, është planeti më I ngjashëm me Tokën për nga përmasat dhe përbërja shkëmbore, por kushtet atje janë ekstreme: atmosfera dominohet nga dioksidi I karbonit, presioni është 90 herë më I lartë se në Tokë dhe temperaturat arrijnë deri në 460 gradë Celsius.
Zbulimi I fundit hap një kapitull të ri në studimin e këtij planeti misterioz, duke afruar shkencën një hap më pranë zbulimit të sekreteve që Afërdita fsheh nën sipërfaqen e saj.

