Trump sërish në telashe, del audio-regjistrimi ku flet pwr një sulm të mundshëm ndaj Iranit
Telashet për ish Presidentin amerikane Donald Trump nuk kanë të mbaruar. Siç njoftojnë mediat amerikane, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë siguruar një kasetë në të cilën ish-Presidenti, dëgjohet tek thotë se ka një dokument të klasifikuar të Pentagonit në lidhje me një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

Audio-regjistrimi kompromentues janë publikuar ditën e enjte në mediat amerikanë, për ish presidentin amerikan Donald Trump.
Rrjeti televiziv CNN, i cili njoftoi i pari rreth audio-regjistrimit, bëri të ditur se Trump dëgjohet tek thotë se ai donte ta ndante informacionin sekret edhe me persona të tjerë, por e dinte se kishte kufizime në lidhje me kompetencat e tij për të deklasifikuar dokumente sekrete, pas largimit nga detyra.
Komentet janë bërë në korrik të vitit 2021, në klubin e golfit të Trump, në Bedminster të Nju Xhersit. Fjalët që zoti Trump thotë në audio-regjistrim, duket se janë në kontradiktë me pretendimet e përsëritura të tij, se mund t’i deklasifikonte automatikisht dokumentet që mori me vete nga Shtëpia e Bardhë, pas largimit nga detyra.
Ky audio-regjistrim mund të shërbejë si një provë e rëndësishme për prokurorët, që po kërkojnë të vërtetojnë se Trump e dinte se mundësitë e tij për të zotëruar dokumente të klasifikuara, ishin të kufizuara.
Tashmë kasetën e posedon Prokurori i Posaçëm Jack Smith, ekipi i të cilit ka shpenzuar muaj të tërë duke hetuar mënyrën se si janë trajtuar dokumentet e klasifikuara nga ana e zotit Trump, si dhe nëse zoti Trump apo dikush tjetër, është përpjekur të pengojë hetimin penal mbi këtë çështje. Ka shenja se hetimet ndodhen në fazat e fundit të tyre. Prokurorët kanë intervistuar një grup të gjerë dëshmitarësh përpara një jurie të madhe.
Deri tani ndaj asnjë personi nuk janë ngritur akuza penale.
Hetimi penal mbi këtë çështje nisi vitin e kaluar, pasi Administrata e Arkivave Kombëtare njoftoi FBI-në për praninë e 15 kutive me dokumente të klasifikuara, që ishin marrë me vonesë nga rezidenca e zotit Trump në Mar-a-Lago. Kjo çështje shkoi deri tek kontrolli nga FBI me urdhër gjykate të rezidencës së zotit Trump.
Sipas CNN-it, kaseta është regjistruar gjatë një mbledhjeje në Bedminster në prani të ndihmësve të zotit Trump dhe dy personave, që po punonin në atë kohë për autobiografinë e ish-shefit të kabinetit të zotit Trump, Mark Meadows.

