Trump premton rritje të tarifave deri në 70%, thotë se kombet do të 'fillojnë të paguajnë' në gusht

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se të premten do të nisë zyrtarisht njoftimin e partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së për një regjim të ri tarifor gjithëpërfshirës, në kuadër të axhendës së tij “Amerika e Para”.
Duke folur përpara festimeve të Ditës së Pavarësisë, Trump deklaroi se “10 ose 12” letra do të dërgoheshin menjëherë dhe të tjera do të pasonin, përpara afatit të 9 korrikut për arritjen e marrëveshjeve që mund të shmangnin tarifat më të larta.
Masat tarifore, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, do të prekin eksportet drejt SHBA-së me detyrime që shkojnë deri në 70%.
“Ato do të variojnë në vlerë nga ndoshta 60 ose 70% tarifa në 10 dhe 20% tarifa”, tha Trump, duke shtuar se shkalla e tarifave do të ndryshojë sipas vendit të origjinës.
Presidenti konfirmoi se vendet që nuk arrijnë marrëveshje do të përballen me tarifa të larta dhe se deri më 9 korrik të gjitha do të jenë “të mbuluara plotësisht”.
SHBA-të janë aktualisht në bisedime intensive me disa ekonomi të mëdha, përfshirë Korenë e Jugut, Indonezinë, Zvicrën dhe Bashkimin Evropian.
Diskutimet konsiderohen në një fazë kritike, ndërsa burime nga Shtëpia e Bardhë pohojnë se tarifat janë njoftuar për herë të parë më 2 prill, por u shtynë për 90 ditë për të lejuar negociata.
Aktualisht, aplikohet një normë tarifore prej 10%, por nëse paketa e re aprovohet javën e ardhshme, Bloomberg Economics vlerëson se tarifa mesatare mbi importet amerikane mund të rritet në 20%, një rritje e ndjeshme nga 3% që ishte para ardhjes së Trump në pushtet.
Presidenti nuk ka zbuluar ende se cilat vende ose mallra do të përfshihen në kategorinë më të lartë të tarifave.
Trump theksoi se tarifat do të fillojnë të sjellin të ardhura që nga muaji i ardhshëm. “Paratë do të fillojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara më 1 gusht”, deklaroi ai.
Megjithëse tarifat zyrtarisht paguhen nga importuesit, ato shpesh përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët apo reduktim të fitimeve për bizneset.
Ekonomistët kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme në ekonominë amerikane, veçanërisht në përpjekjet e Rezervës Federale për të kontrolluar inflacionin.
Sipas mediave amerikane, disa zyrtarë të Fed-it janë të kujdesshëm për të ndërmarrë hapa të tjerë në politikën monetare, për shkak të pasigurisë që shkaktojnë tarifat.
Ndërkohë, lëvizjet e Trump kanë tronditur tregjet globale: bursat në Azi dhe Evropë kanë shënuar rënie, ndërsa dollari është dobësuar në tregjet valutore.
Tregjet amerikane ishin të mbyllura të enjten për shkak të festës së 4 Korrikut.

