Trump: Lejuam kalimin e tankerëve kinezë me naftë iraniane në Ngushticën e Hormuzit

Trump: Lejuam kalimin e tankerëve kinezë me naftë iraniane

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kalimin e tre tankerëve kinezë që transportonin naftë iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit, në një moment tensionesh të larta në Gjirin Persik.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se anijet kineze arritën të kalonin nëpër këtë korridor strategjik detar “sepse ne e lejuam”.

Ai shtoi se tankerët kishin kaluar përpara vizitës së tij në Kinë dhe takimit me presidentin kinez, Xi Jinping.

Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk dha detaje të tjera mbi vendimin e Uashingtonit apo nëse ka pasur një marrëveshje të fshehtë me Pekinin për çështjen në fjalë.

Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të mbetet e tensionuar. Irani ka vendosur kufizime për lundrimin tregtar, duke kërkuar tarifa për anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë jetike për transportin global të energjisë.

Nga ana tjetër, SHBA ka reaguar duke bllokuar porte iraniane, çka ka shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në rajon.

Sipas mediave shtetërore iraniane, rreth 30 anije, përfshirë të paktën një tanker kinez, kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit që prej mbrëmjes së të mërkurës.

Teherani pretendon se kalimet janë kryer “me lejen e Iranit”, por deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur për këto deklarata.

EMISIONET