Transferonin milionat e krimit edhe në Shqipëri/ Meksika bllokon 13 kazino pas presionit nga SHBA

Nga Karina Suarez, EL PAIS
Ministria e Financave ka vënë në shënjestër transferimet milionëshe të 13 kazinove në Meksikë. Pas disa muajsh hetime, institucioni federal ka bllokuar llogaritë bankare të kazinove pasi ka zbuluar dyshime për pastrim parash.
Hetimet e kryera zbuluan operacione me para në dorë, flukse ndërkombëtare dhe përdorim të platformave dixhitale jo të mbikëqyrura.
“Disa prej këtyre bizneseve kanë operuar me lëvizje milionëshe në para të gatshme, me transferime drejt Shteteve të Bashkuara, Rumanisë, Shqipërisë, Maltës, Panamasë; si edhe përmes platformave dixhitale, gjë që lehtësonte shpërndarjen e fondeve të paligjshme, fshehjen dhe ri-integrimin e tyre në sistemin financiar meksikan dhe atë ndërkombëtar,” thuhet në një deklaratë të qeverisë të shpërndarë të martën.
Të mërkurën, Sekretari për Sigurinë dhe Mbrojtjen Qytetare, Omar García Harfuch, deklaroi në konferencën e mëngjesit në Pallatin Kombëtar se në kazinotë e përmendura janë zbuluar sjellje të pazakonta, transferime të parregullta me para në dorë, evazion fiskal dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Nga këto zbulime nis një fazë e re e parandalimit; Njësia e Inteligjencës Financiare (UIF) do të zhvillojë mekanizma për zbulim të hershëm dhe modele parashikuese të bazuara në inteligjencë artificiale për të identifikuar sjellje të pazakonta që mund të dëmtojnë sistemin financiar,” shtoi ai.
Qeveria federale ka identifikuar tre mënyra kryesore veprimi në këto kazino: përdorimin e sasive të mëdha të parave në dorë, rrjete që lëviznin para të ardhura nga jashtë brenda vendit dhe operacione dixhitale që përfshinin transferime dhe platforma pagese për të fshehur origjinën e fondeve. Ministria e Financave thotë se këto kompani kanë lëvizur deri në 50 milionë pesos në operacione të pazakonta.
Kazino të parregullta dhe hetime të thelluara
Sekretaria e drejtuar nga Edgar Amador shton se, për shkak të rrezikut të lartë financiar, kazinotë e parregullta janë futur në listën e personave juridikë të bllokuar, me qëllim mbrojtjen e përdoruesve dhe parandalimin që këto hapësira të përdoren nga krimi i organizuar. Shtëpitë e basteve, që tani ndodhen në qendër të akuzave, operonin në shtetet Jalisco, Nuevo León, Sinaloa, Sonora, Baja California, Chiapas dhe në Qytetin e Meksikos.
Pas këtyre zbulimeve, Njësia e Inteligjencës Financiare (UIF) do të paraqesë kallëzimet përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme për të ndjekur veprat e mundshme penale të pastrimit të parave, organizimit kriminal dhe shkeljeve fiskale. Hetimi i Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me Kabinetin e Sigurisë, zbuloi gjithashtu se platforma dixhitale bastesh kanë përdorur persona me profile ekonomike që nuk përputhen me sasinë e parave të marra. Në këtë mënyrë, amvisa, studentë, pensionistë dhe të papunë kanë shërbyer si mbajtës të përkohshëm të fondeve, përpara se këto shuma të përfundonin në duart e pronarëve të vërtetë.
Bllokimi i këtyre 13 kazinove ndodh një muaj pasi hynë në fuqi sanksionet e SHBA-së ndaj bankave Intercam dhe CIBanco, si edhe ndaj shtëpisë së bursës Vector, për dyshime për pastrim parash nga kartelet e narkotrafikut. Ky goditje e paprecedentë ndaj sistemit financiar meksikan nga ana e Uashingtonit e detyroi shoqatën bankare meksikane të forcojë masat kundër pastrimit të kapitalit.
Ministria e Financave theksoi të martën se operacioni kundër sektorit të paligjshëm të lojërave dhe basteve në Meksikë riafirmon angazhimin për bashkëpunim ndërkombëtar në parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të paligjshme, në bashkëpunim me FinCEN dhe OFAC, dy agjenci të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, të specializuara në gjurmimin e parave të pista.
Hetimet për 13 kazinotë në Meksikë pritet të godasin fort një sektor mbi të cilin rëndon hija e mungesës së transparencës financiare. Sipas Shoqatës së Industrisë së Argëtimit dhe Lojërave të Fatit në Meksikë (AIEJA), sektori ligjor i lojërave dhe shorteve vlerësohet në 3 miliardë dollarë në vit, me mbi 400 kazino në funksion dhe 38.000 vende pune të drejtpërdrejta. Megjithatë, e njëjta organizatë pranon se bastet e paligjshme në vend janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të saj, rreth 60% e faqeve të basteve online janë të paligjshme.
Dy kazino të manjatit Salinas Pliego, në shënjestër të Ministrisë së Financave
Edhe pse qeveria e Sheinbaum ka refuzuar të zbulojë emrat e 13 kazinove të bllokuara për të mos ndikuar në hetim, biznesmeni Ricardo Salinas Pliego ka dalë publikisht në mbrojtje të dy prej kazinove të tij: Ganador Azteca dhe Operadora Ganadora TV Azteca. Ai ka akuzuar se kjo masë është “një veprim tjetër i ngacmimit dhe persekutimit sistematik nga shteti”, si pjesë e konfliktit të tij me administratën tatimore meksikane për borxhet e papaguara tatimore të kompanive të tij.
Korporata ka mbrojtur qëndrimin e saj duke deklaruar se filialet dhe partnerët në Mbretërinë e Bashkuar kanë respektuar rregulloret kundër pastrimit të parave. “Duan të na mbyllin gojën, por nuk do të përkulemi; të gjitha kompanitë tona veprojnë gjithmonë në përputhje me ligjin. Këtu jemi dhe këtu do të mbetemi,” ka shkruar pronari i diskutueshëm i Elektra-s në llogarinë e tij në X.
Grupo Salinas ka theksuar se ky hetim i ri ndaj kazinove të tij është pjesë e një fushate nga autoritetet federale kundër kompanive të grupit. “Ky veprim arbitrar i prokurores fiskale, Grisel Galeano García, konfirmon atë që kemi paralajmëruar prej muajsh: është në zhvillim një fushatë sistematike e qeverisë kundër themeluesit dhe presidentit tonë, Ricardo Benjamín Salinas Pliego, dhe kundër kompanive të grupit, që përbën një formë të persekutimit shtetëror, ku institucionet publike përdoren për të frikësuar, për të ushtruar presion dhe për të nënshtruar ata që mendojnë ndryshe, ndërsa në të njëjtën kohë shpërqendrohet opinioni publik nga problemet e vërteta të vendit,” thuhet në deklaratën e Grupo Salinas.



