Tensione në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mes përfaqësuesve të Iranit dhe Izraelit

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u mbajt në një atmosferë të tensionuar, ndërsa nga ana tjetër ministrat e jashtëm evropianë u takuan me homologët e tyre iranianë në Gjenevë.
Irani dhe Izraeli kryqëzuan "shpatat e tyre diplomatike" në Nju Jork, me deklarata nga të dyja palët që tregonin përshkallëzimin e tensionit midis dy vendeve.
Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeed Iravani, e bëri të qartë se Teherani nuk do të mbetet indiferent ndaj sulmeve të Izraelit.
"Vendi im do të vazhdojë të mbrohet kundër Izraelit", theksoi ai, ndërsa i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë veprime për të çtensionuar krizën.
Diplomati iranian shtoi se "Izraeli me sa duket ka deklaruar se do të vazhdojë sulmet për aq ditë sa të jetë e nevojshme".
Nga ana e tij, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, përdori retorikë të ashpër, duke deklaruar se vendi i tij nuk do t’i ndalte sulmet e tij.
"Ne nuk do të ndalemi – jo derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të neutralizohet, jo derisa makina e tij e luftës të çarmatoset, jo derisa populli ynë dhe i juaji të mbrohen", tha ai.


