Tension në Britani/ Dobësohet pozita e Keir Starmer pas dorëheqjeve në qeveri

Britania po përballet me një situatë të tensionuar politike, ndërsa pozita e kryeministrit Keir Starmer është dobësuar pas disa dorëheqjeve të ministrave dhe presionit të brendshëm në Partinë Laburiste.
Sipas analizave të “The Guardian”, në parti ka diskutime për të ardhmen e lidershipit, ku disa deputetë kërkojnë ose largimin e Starmerit, ose vendosjen e një afati të qartë për dorëheqjen e tij.
Megjithatë, ai mbetet në detyrë dhe pritet të vazhdojë të përballet me presionin politik.
Në skenën politike përmenden disa emra si kandidatë të mundshëm për të ardhmen e partisë, përfshirë Wes Streeting, Angela Rayner dhe Ed Miliband, por ende nuk ka një konsensus të qartë brenda Laburistëve.
Një nga skenarët që po diskutohet është edhe përfshirja e Andy Burnham, i cili shihet si një figurë e fortë politike, por aktualisht nuk është deputet në Parlament.
Ai mund të hyjë në garë vetëm nëse rikthehet në Dhomën e Komunave përmes një zgjedhjeje të pjesshme.
Një tjetër mundësi është që Burnham të presë deri në vitin 2028, kur përfundon mandati i tij si kryebashkiak, gjë që do të zgjaste periudhën e pasigurisë brenda Partisë Laburiste.
Ndërkohë, ekziston edhe skenari që Starmer të arrijë të mbajë postin, nëse nuk formohet një sfidë e fortë brenda partisë. Në këtë rast, Laburistët do të vazhdonin me tensione të brendshme, por pa ndryshim në krye të qeverisë.


