Talebanët “pushtojnë” Afganistanin, qytetet bien njëri pas tjetrit, forcat qeveritare të dobëta

Qytete të ndryshme në Afganistan po bien në duart e talebanëve nga java në javë, ndërsa forcat e huaja janë tërhequr nga vendi. Forcat qeveritare, edhe pse të mirëarmatosura, nuk po i bëjnë dot ballë talebanëve që avancojnë në pozicionet e tyre.
Këtë fundjavë ra Kunduzi, ndërsa po zhvillohen beteja në 3 qytete në veri të Afganistanit. Mediet ndërkombëtare shkruajnë edhe për sasi të mëdha armatimi që talebanët kanë vënë nën zotërim me ofensivën në qytete të ndryshme.
Ndërsa trupat amerikane janë tërhequr, nuk kanë munguar as kritikat për administratën Biden, ku sipas ekspertëve Afganistani mund të shkojë në luftë civile ose të kthehet në vendstrehim për organizata terroriste.
Luftimet mes forcave qeveritare afgane dhe forcave talebane kanë sjellë edhe emigracion masiv të qytetarëve afganë nga shtëpitë e tyre në drejtim të Pakistanit, Iranit dhe Turqisë.
Forcat talebane synojnë marrjen e qeverisjes në vend, dhe të cilësuar si grup fundamentalist, ata mëtojnë që të vendosin ligjin e sheriatit për vendasit, ndërsa thonë për BBC-në se fitorja është e tyre. Mposhtën Amerikën, tani do të mposhtin edhe bashkëpunëtorët e tyre në qeveri.
Imazhet e përcjella nga gazetarët në Afganistan tregojnë qytetarë të shumtë të arrestuar pse kanë bashkëpunuar me qeverinë afgane.

